Kosova mund të arrijë standarde të larta në shëndetësi

Vaksinimi paraqet një pikë të ndritshme të sistemit shëndetësor të Kosovës dhe rezultatet e mira në procesin e imunizimit duhet të paraqiten si shembull i mirë para botës për të demonstruar se vendi ynë është në gjendje të arrijë standarde të larta në fushën e shëndetësisë, u tha me rastin e prezantimit të projektit “Vaksinimi plotësues i Grupeve vulnerabile, përfshirë edhe komunitetin rom, ashkali, egjiptian.

Në këtë prezantim, i cili u mbajt të enjten në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHP), morën pjesë ministri i Shëndetësisë Ferid Agani, krerët e IKSHP-së dhe përfaqësuesit e partnerëve të MSH-së, Skënder Syla, shef i Zyrës së OBSH-së në Prishtinë dhe Agron Gashi nga Zyra e UNICEF-it në Prishtinë.

“Imunizimi në shkallë vendi prej 95 për qind është një rezultat i mirë dhe projekti i sotëm për vaksinimin plotësues të grupeve vulnerabile, përshirë këtu edhe komunitetin RAE duhet të fuqizohet si pjesë e përkujdesjes dhe ofrimit të shërbimeve shëndetësore për të gjithë në Kosovë”, ka thënë ministri Agani.

Duke ofruar mbështetjen e Ministrisë së Shëndetësisë për forcimin e komponentit parandalues në grupet vulnerabile, ministri Agani theksoi se arritja e standardeve në këtë pikë është një dimension tjetër që i bëhet vlerësimit për përmbushjen e kritereve të ndryshme që BE i parashtron Kosovës.

Drejtori i IKSHP-së, Naser Ramadani, tha se IKSHP ka arritur që të realizojë me sukses programin e zgjeruar të imunizimit, si rezultat i të cilit, Kosova tashmë është vend i liruar nga shumë sëmundje ngjitëse, përfshirë edhe paralizën e fëmijëve.

Ndërkaq, Skënder Syla tha se OBSH do të vazhdojë të mbështesë MSH-në dhe IKSHP-në edhe në hapat e mëtejmë, për të siguruar qasjen e barabartë të gjitha komuniteteve në shërbimet e vaksinimit, që është edhe parim i OBSH-së.

Projektin për Vaksinimin plotësues të Grupeve vulnerabile, përfshirë edhe komunitetin RAE, e ka prezantuar epidemiologia Isme Humolli, e cila ndër të tjera ka theksuar se MSH-ja, lidhur me këtë projekt duhet t’u kërkojë të gjitha institucioneve shëndetësore në vend aktivitete plotësuese në çdo moment dhe të bëhen përpjekje që së paku të sigurohen të dhëna për këtë komunitet për ata që jetojnë në Kosovën Lindore, pasi që, në pjesët e tjera, të vendit, komuniteti është i integruar dhe është më lehtë të sigurohen të dhënat edhe për numrin e fëmijëve që eventualisht duhet të vaksinohen.

No comments:

Post a Comment