Kontrabandë e rrezikshme


Nuk ka ditë që nga Serbia nëpërmjet fshatrave kufitare të mos futen maune me lloj-lloj malli kontrabandë. Për banorët e Stublinës e të Pogragjës, fshatra përgjatë brezit kufitar Kosovë – Serbi, kjo është përditshmëri shqetësuese.


Sipas banorëve, kontrabandistët pasi sigurohen se rruga është e lirë, ngasin makinat me shpejtësi marramendëse me qëllim që mallin e kontrabanduar sa më parë ta largojnë nga rreziku për t’u kapur. Në tërë këtë “biznes”, thonë ata, hise kanë edhe pjesëtarë të Policisë.

Këshilltari komunal Sami Azemi nga Pogragja, thotë se jo vetëm që po dëmtohet buxheti i Kosovës por edhe po rrezikohet jeta e fshatarëve. Sipas tij, kontrabanda në këto anë kishte nisur qysh nga paralufta dhe ka vazhduar por Policia nuk e pa të udhës të vendosë një pikë statike në këtë aks rrugor.

Qemajl Mustafa, kryetar i Gjilanit, thotë se ky është një shqetësim i përhershëm dhe se me problemin është njoftuar edhe KFOR-i, por zgjidhje të duhur ende nuk ka.

“Duhet mbyllur vrimat atje ku rrjedhin”, thotë Mustafa, duke shtuar se shqetësimin e kanë shprehur edhe bizneset si mishtoret, ta që merrem me rritjen e viçave ngase futja ilegale e gjedheve po i dëmton shumë.

Edhe Mustafa ka bindjen se individë të policisë janë të përfshirë në këtë “tugjarllëk”. Madje edhe Agjencia ka hise duke mos nxjerrë tiketa identifikuese të kafshëve që vihen në veshë e të cilat nisën të stërshiten dhe kështu kontrabanduesit po i ikin tatimit.

Ai premton se të gjitha këto zhvillime do t’i ringrisin para komandantëve të policisë, komandantit të Policisë dhe njësiteve të KFOR-it. Sipas tij, kur KFOR-i është në vijën e gjelbër nuk ka probleme, por gjithçka ndryshon kur ata largohen prej aty.

(Telegrafi.com)

No comments:

Post a Comment