“Koncert në fund të dimrit” raporti sekret që ndaloi botimin


“Koncert në fund të dimrit” e shkrimtarit Ismail Kadare, i shkruar në vitin 1980-1981, nuk e pa dritën e botimit veç në vitin 1988, kur komunizmi ishte në grahmat e fundit. Por vetëm pak ditë më parë shtëpia botuese “Onufri” ka nxjerrë në treg botimin e ri të romanit më të rëndësishëm të shkrimtarit Ismail Kadare, pa asnjë ndryshim nga versioni origjinal i vitit 1981 kur ai u shkrua. Një raport sekret i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, e vitit 1983, bëri që romani të ndalohej.
Siç shkruan dhe Eric Faye, shkrimtar dhe studiues francez: “Koncert në fund të dimrit do të rrijë për gati 7 vjet në purgator para se të shihte dritën e botimit në vitin 1988, tre vjet pas vdekjes së Enver Hoxhës. Gjatë kësaj kohe, Kadareja nuk do ta prekë tekstin, përveç disa poezive që do t’i fusë aty-këtu”. Dhe pikërisht versioni origjinal i romanit, që u rikthye sërish në qendër të debateve pak kohë më parë, vjen në një botim të ri e mjaft cilësor nga botimet “Onufri”. Po cilat ishin arsyet e ndalimit të romanit në vitet ’80? Botuesi i “Onufrit”, Bujar Hudhri, shprehet se libri u ndalua pas një raporti sekret të Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, e vitit 1983, edhe pse po këtij romani në vitin 1981 iu dha Çmimi i parë kombëtar. Ja dokumenti i plotë zyrtar që dënonte romanin “Koncert në fund të Dimrit”: “Romani është një satirë dhe përqeshje me socializmin, me parimet dhe idetë e tij. Kjo satirë dhe tallje fshihet nën idenë e goditjes së ‘socializmit’ kinez dhe të ‘majtizmit’ të tij. Gjer këtu është disi e fshehtë. Por ajo shfaqet haptazi pastaj në faqet e romanit, përmes ideve dhe frazave të dykuptimta, me të cilat është mbushur gjithë vepra. Le të marrim, fjala vjen, qëndrimin e autorit ndaj puçistëve ushtarakë, në kohën kur ata bëjnë autokritikë. E gjithë kjo është një tallje, një ironi, një ekuivok. Të kujtojmë, për shembull, mendimin e ministrit D. për autokritikën. Autori shkruan: ‘Ca fjalë të zakonshme mbledhjesh, porositë e Partisë, zotime për të ardhmen etj., etj. Një autokritikë të fortë për gjaknxehtësi, prepotencë, arrogancë, mosthellim në studimin e dokumenteve të Partisë, të veprave të shokut Enver, dhe fësht kalon hendekun’. Po në gojën e këtij personazhi vihen fjalë të tilla tallëse: ‘Rëndësia e Partisë, që, siç e dimë, është mbi të gjitha, materializmi dialektik e ku ta di unë’. Bashkë me ironinë përzihet edhe zymtia e gjendjes: shkarkime, arrestime, burgosje, kritika dhe autokritika. Për mbledhje të zhvilluara sipas porosive të Komitetit Qendror e të Sekretarit të Parë, autori shkruan me tallje sesi zgjasin gjer në mesnatë dhe njerëzit i zinte gjumi. Në roman, nga faqja në faqe, ironia, tallja dhe përqeshja ndaj kritikave dhe demaskimeve që u bënte Partia komplotistëve dhe devijatorëve sa vjen e thellohet, aq sa kthehet kundër veprimeve tona. Ja si autori ironizon: Nga autokritika e ndërlidhësit S. të shtabit: ‘Papjekuria ime ideologjike, mosthellimi sa duhet në studimin e marksizëm-leninizmit… Por në Parti s’ka lart e poshtë, domethënë edhe në ushtri, ky është ndryshimi i saj me ushtritë borgjeze-revizioniste’. Ironitë dhe sarkazmat ndaj socializmit, terminologjisë që ne përdorim dhe talljet me gjëra të shenjta e mbushin gjithë romanin e I. Kadaresë. Ja se ç’fraza vë autori në gojën e një fshesaxhiu: ‘Tridhjetë vjet duke fshirë rrugët, mbi të cilat ecin ndërtuesit e socializmit, kështu tha kryetari i bashkimeve profesionale, apo jo?’ Disa përshkrime e bëjnë socializmin si një zymtësi, ku njerëzit dridhen për fatin e tyre, për fatin e të afërmve dhe në përgjithësi për të ardhmen. Autori e zhvesh personalitetin e njeriut në socializëm, e bën pa vlerë. Ai thotë, -shkruhet në fund të raportit të Lidhjes së Shkrimtarëve, - se ashtu si në një hetim gjyqësor, ku çdo ditë e më tepër përfshihen njerëz që ndoshta as nuk njihen me njëri-tjetrin, ashtu nisin të dalin emrat e të kritikuarve në mbledhje të ndryshme, për çështje të ndryshme’. Këtu është e qartë ideja e shkatërrimit të njeriut, e frikës, e etheve, e pasigurisë që krijon lufta e klasave në socializëm, sipas autorit. Bile, sipas tij, edhe arti vritet në këtë situatë të luftës së klasave. Ai vë në gojën e shkrimtarit Skënder Bermema këto fjalë: ‘Ju të gjithë së bashku ma vratë romanin’.
Kaq mjaftonte që romanit “Koncert në fund të dimrit” të mos e shihte dritën e botimit për një kohë të gjatë.


(www.mapo.al/index.php?z=lexo&category=4&id=11656&titulli=koncert-ne-fund-te-dimrit-raporti-sekret-qe-ndaloi-botimin)

No comments:

Post a Comment