Kombëtarja nis përgatitoret për Europianin.

Basketboll-Femra. Në “Asllan Rusi”, trajneri Petrit Stefa nis punën me 15 lojtaret e përzgjedhura.


Lista e kombëtares

Enisa Semanjaku (Apolonia), Adelajda Aliaj (Flamurtari), Suada Sherifaj (Tirana), Enkela Deneko (pa ekip), Elektra Zykaj (Tirana), Eliverta Bujari (Tirana), Gera Bujari (Tirana), Karolina Kostallari (Tirana), Gridi Sokoli (Vllaznia), Dorina Mehmeti (Apolonia), Fabiola Përmeti (Tirana), Brikena Çakiçi (pa ekip), Ornela Lalaj (Skënderbeu), Ingrid Dashja (Vllaznia).
Trajnerë: Petrit Stefa, Edra Alibegaj (zv.trajnere)

Kombëtarja e femrave në basketboll ka nisur dje në pallatin e sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet fazën përgatitore, pasi do të marrë pjesë në fund të majit dhe në fillim të qershorit në ndeshjet e kthimit të eliminatoreve të kampionatit europian.

Shqipëria ndodhet në grupin B të Divizionit B, së bashku me Luksemburgun, Bosnjë-Hercegovinën, Zvicrën dhe Estoninë. Pikërisht me këtë të fundit, më 31 maj, do të nisin ndeshjet e kthimit dhe deri në këtë datë ekipi do të qëndrojë i grumbulluar në Tiranë, ku do të stërvitet dy herë në ditë.

STEFA NIS PUNËN - Trajneri i ekipit kombëtar është i mirënjohuri Petrit Stefa, që ka nisur menjëherë nga puna për të kolauduar sa më mirë një ekip të ri, të alternuar edhe me disa basketbolliste me përvojë. Rezultatet zhgënjyese të një viti më parë i përkasin të kaluarës dhe trajneri matematicien nga Vlora ka nisur të ndërtojë themelet e një skuadre që ka nevojë për shumë riparime.

Dje vëmendja u përqendrua më shumë te mbrojtja, duke alternuar teorinë me praktikën. Për më shumë se 2 orë paradite dhe po kaq dje në mbrëmje, basketbollistet e grumbulluara kanë djersitur shumë për të kuptuar e zbatuar më pas skemat e reja të trajnerit vlonjat (tepër energjik dje në fushë), i fundit që ka sjellë një trofe në Shqipëri 9 vite më parë (Kupa e Promocionit, në Andorë të vitit 2002).

LOJTARET - Nga lista paraprake e bërë publike, trajneri vlonjat dhe ndihmësja e tij Edra Alibegaj kanë seleksionuar 15 basketbolliste. Ato ishin të gjitha dje të pranishme në “Asllan Rusi”, ku do të stërviten deri më 30 maj. Në këtë listë bëjnë pjesë basketbollistet më të mira të kampionatit tonë, ku shumicën e kanë lojtaret e Tiranës.

Në katër ndeshjet e para eliminatore, trajnerë të ekipit kombëtar ishin fillimisht Viron Toska e më pas Fiorentina Mitku, të larguar dhe prej 2 javësh është caktuar Petrit Stefa, që ka sjellë edhe disa ndryshime në përbërjen e skuadrës.

EUROPIANI - Ndeshjet e kthimit të eliminatoreve të europianit do të nisin më 31 maj, ku Shqipëria do të luajë në Tiranë ndeshjen e parë të kthimit të grupit B, Divizioni B, ndaj Estonisë dhe më pas do të përballet me Luksemburgun, Bosnjë-Hersegovinën dhe Zvicrën.

Në katër takimet e para, të luajtura në gusht të vitit të kaluar, ekipi kuqezi pësoi 4 humbje, dy prej të cilave me rezultate shumë të thella, duke u renditur në vendin e fundit. Këtë herë duket se skuadra ka një frymë më optimiste, të cilën duket se trajneri Stefa u përpoq ta përcjellë të vajzat që në seancat e para stërvitore.


(sportishqiptar.com.al)

No comments:

Post a Comment