Kolegji Zgjedhor policia merr në ruajtje gjyqtarët

Forcat speciale të Repartit të Ruajtjes dhe Sigurisë Fizike “zbarkuan” dje në Gjykatën e Apelit në kryeqytet për të marrë në ruajtje tetë gjykatësit, të cilët do të vendosin për fatin e kreut të ri të Bashkisë së Tiranës, pasi rruga e ankimimit është hapur tashmë, kur KQZ-ja pas numërimit të votave në kutitë e gabuara, nxori Lulzim Bashën, kandidatin e “Aleancës për Qytetarin”, si fitues të garës.

Lajmi konfirmohet per te perditshmen Gazeta Shqiptare nga burime zyrtare të Policisë së Shtetit, të cilat thanë se masat për ruajtjen e gjykatësve të Kolegjit Zgjedhor janë marrë pas një kërkese të bërë nga komisioni i vlerësimit të gjykatësve.

E perditshmja thekson se me 26 Maj Kolegji Zgjedhor do të shqyrtojë një kërkesë të subjektit politik Partia Socialiste, për miratimin e KZAZ nr.49 dhe tabelës finale për Tiranën. Në kërkesën ankimore të paraqitur nga PS-ja thuhet se, në përfundim të numërimit të votave për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, dhjetë KZAZ-të e kësaj zone aprovuan tabelat përmbledhëse të rezultateve të qendrave të votimit, ndërsa KZAZ-ja nr.49 nuk e miratoi këtë tabelë. Bëhej fjalë pikërisht për rezultatin e kutisë së fundit, nga numërimi i së cilës kandidati i PS-së për kryetar bashkie, Edi Rama, i cili e ka mbajtur këtë post për tri mandate rresht, doli në avantazh me dhjetë vota.

Jane tetë anëtarët e Kolegjit Zgjedhor qe u zgjodhën nga shorti i zhvilluar në Këshillin e Lartë të Drejtësisë në janar të 2009-ës, në mesin e të gjithë gjykatësve të Apelit në shkallë vendi. Emrat e gjykatësve: Dhurata Haveri, Tom Ndreca, Astrit Kalaja, Marie Qirjazi, Meriban Mullaj, Sashenka Jonuzi, Entela Prifti dhe Petraq Koço, nuk u kontestuan nga asnjë prej partive politike. Madje, në mesin e tyre ka dhe emra të zgjedhur për të dytën herë si anëtarë të Kolegjit Zgjedhor.
(balkanweb.com)

No comments:

Post a Comment