KLSH: Dëmi 83 milionë lekë, më i vogli në 5 vitet e fundit

Janë vetëm 83 milionë lekë dëm financiar që i janë shkaktuar buxhetit të shtetit gjatë viteve 2008-2010 dhe të evidentuara në vitin 2011.Kjo shifër, në fakt sado inkurajuese, bën të mendosh që ose institucionet që janë kontrolluar nuk kanë buxhete të mëdha, ose administratat janë ndërgjegjësuar, ose kanë perfeksionuar mënyrën e fshehjes. Për herë të parë në pesë vitet e fundit, që nga vitit 2006, Kontrolli i Lartë i Shtetit konstaton në raportet e tij një shumë minimale shkeljesh financiare, që nuk kapërcen nivelin e qindra milionëve. Kështu, nëse i hedhim një sy kontrolleve të tremujorëve të parë të viteve 2006-2011, vihet re ndryshimi. Në vitin 2006, dëmi i konstatuar nga KLSH është 627 milionë lekë, në 2007 dëmi është 1.6 miliardë lekë, në vitin 2008, 1.1 miliardë lekë, në vitin 2009 dëmi 2 miliardë lekë dhe në raportin e janar-marsit 2010, dëmi ishte 973 milionë lekë. Raporti i fundit për tremujorin e parë të këtij viti nënvizon se rekordet e shkeljeve nuk mbahen nga tatimtaksat dhe doganat.

Kjo në fakt lidhet edhe me kategorinë e institucioneve që janë përfshirë në listën e kontrolleve. Për tremujorin e parë të vitit 2011, ishin planifikuar 39 kontrolle, por ndërkohë KLSH ka vendosur që të përgatisë materialet për 109 kontrolle. Nga këto kanë përfunduar dhe evaduar 47, nga të cilat 24 kontrolle të kombinuara, 15 për ligjshmërinë dhe rregullshmërinë, 2 auditime financiare, 1 certifikim i llogarive, 1 vlerësues dhe 4 tematikë. Nga ana tjetër, KLSH bën me dije se kanë përfunduar edhe 33 kontrolle të tjera, të cilët nuk janë evaduar dhe 29 që janë në proces zhvillimi.
Dëmi sipas sektorëve
Këtë herë, në ndryshim nga raportet më të hershme të Kontrollit të Lartë të Shtetit, ku ka rezultuar se dëmet më të mëdha financiare shkaktoheshin nga tatimtaksat dhe doganat, vendin e parë e zënë prokurimet. Nga dëmi prej 83 milionë lekësh, shkeljet në fushën e prokurimeve zënë më shumë sesa gjysmën e saj, rreth 45.2 milionë lekë. E para ndër institucionet është Ministria e Turizmit me 15 milionë lekë dhe e dyta Njësia Bashkiake Nr. 6 me 13.8 milionë lekë. Shkelje vërehen edhe në komuna dhe bashki të ndryshme, të cilët duket se kanë qenë fokusi i KLSH-së për këtë 3-mujor. Vendin e dytë për dëmin financiar në këtë raport e zë pjesa e shpenzimeve operative me 13.3 milionë lekë. Nga këto, sërish është Ministria e Turizmit ajo që ka kryer më shumë shkelje me 8 milionë lekë, ndërkohë që i dyti renditet Autoriteti Portual Durrës, me 2.6 milionë lekë. E treta është Njësia Bashkiake N.r 2, me 519 mijë lekë. Një tjetër fushë ku janë evidentuar shkelje është ajo e urbanistikës me një shumë të përgjithshme prej 7.7 milionë lekë. Dëmi më i madh në këtë kategori është kryer nga Bashkia e Elbasanit me 2 milionë lekë, për shkak të mosarkëtimit të taksës së studimeve urbanistike dhe taksës së ndikimit në infrastrukturë. Në sistemin e pagave, dëmi ekonomik i evidentuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit është 6.9 milionë lekë. Pjesa më e madhe e këtij dëmi i përket komunës Bërdicë, Shkodër, në vlerën 974 000 lekë, shkelje që ndahet në pagesa për paga të kundërligjshme në shumën 191 459 lekë, pagesa jashtë kritereve për statusin e shërbimit civil në vlerën 553 883 lekë, si edhe pagesa për punë jashtë kohës normale të punës, në vlerën 229 189 lekë. Në dogana dhe në tatimtaksa, dëmi i evidentuar nga KLSH-ja kap përkatësisht vlerën 3.9 milionë lekë dhe 2.6 milionë lekë. Sa i përket shitjes dhe dhënies me qira të pasurisë shtetërore, shkeljet kapin vlerën 892 mijë lekë.

973 milione leke
ishte dëmi i konstatuar në tremujorin e parë të vitit të kaluar nga Kontrolli
i Lartë i Shtetit.
Gjatë vitit 2009, në tremujorin e parë dëmi i evidentuar ishte 2 miliardë lekë

39 kontrolle
Kishte planifikuar KLSH për tremujorin e parë 2011, por ka vendosur që të përgatisë materialet për 109 kontrolle. Nga këto, kanë përfunduar dhe evaduar 47, ndërsa 29 janë në proces

Dëmi më i vogël, 4 mijë lekë
Njësia Bashkiake Nr. 3 në Tiranë ka përfunduar në raportin e KLSH-së për një shkelje prej katër mijë lekësh. Në detajet që jepen nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, shkelja është kryer në fushën e prokurimeve publike dhe kjo Njësi Bashkiake renditet si institucioni i fundit me shkeljen më të vogël mes 13 institucioneve në total, të përfshira në listën e dëmit financiar për pjesën e prokurimeve. Kjo vlerë duket se është edhe ndër më të voglat të evidentuara ndonjëherë nga KLSH-ja në raportet e saj.

Kallëzim penal për 2 persona
Kontrolli i Lartë i Shtetit për tremujorin e parë 2011 ka bërë dy kallëzime penale për dy persona, përkatësisht pjesë e institucioneve të Drejtorisë Rajonale Tatimore të Elbasanit dhe Drejtorisë Rajonale Tatimore Durrës. Pas konstatimit të dëmit nga departamenti i kontrollit të të ardhurave në buxhetin e shtetit, dy persona janë akuzuar për shpërdorim detyre, sipas nenit 248 të Kodit Penal, ndërkohë që për personat e kallëzuar KLSH nuk bën të ditur dëmin e shkaktuar në lekë. Kallëzimi është bërë në shkurt.

Raporti i KLSH, 3-mujori i parë

Fusha ku konstatohet shkelja, institucioni me dëmin më të madh për çdo fushë dhe vlera në milionë lekë

Dëmi 2011 gjithsej 83 milionë lekë

Prokurimet 45.2 milionë lekë
• Ministria e Turizmit 15 milionë lekë
• Njësia Bashkiake Nr.6, Tiranë 13.8 milionë lekë
• Drejtoria Ujësjellës-Kanalizime 6 milionë lekë

Shpenzimet operative (gjithsej) 13.3 milionë lekë
• Ministria e Turizmit 8 milionë lekë
• Autoriteti Portal Durrës 2.6 milionë lekë
• Njësia Bashkiake Nr.2, Tiranë 519 mijë lekë

Në fushën e urbanistikës 7.7 milionë lekë
• Bashkia Elbasan 2 milionë lekë
• Komuna Bërdicë 3.7 milionë lekë

Sistemi i pagave (gjithsej) 6.9 milionë lekë
• Komuna Bërdicë 974 mije lekë
• Këshilli i Qarkut Shkodër 255 mije lekë

Fusha e doganave 3.9 milionë lekë

Fusha e tatimeve 2.6 milionë lekë

Dëmet sipas viteve në tremujorin e parë
2006 627 milionë lekë
2007 1.6 miliardë lekë
2008 1.1 miliardë lekë
2009 2 miliardë lekë
2010 973 milionë lekë

(panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment