KESH, eksporti energjisë çon të ardhurat në 200 milionë euro.

Për herë të parë në dy vitet e fundit Shqipëria ka rezultuar suficitare në bilancin tregtar të energjisë me jashtë. Të ardhurat e KESH-it gjatë vitit 2010 shënuan 200 milionë euro, vlera më e lartë historike e njohur nga kompania që nga krijimi i saj. Shifrat në lidhje me bilancin e kompanisë i kanë dhënë burimet zyrtare të KESH-it. Të njëjtin rezultat pozitiv kompania ka shfaqur edhe gjatë vitit 2011. KESH ka pasur gjatë vitit 2010 një prodhim shumë të lartë të energjisë. Prodhimi total i vendit kap shifrën 7 miliardë e 694 milionë kilovat orë, prodhim i paarritur asnjëherë në vitet e kaluara, që kur është ndërtuar kaskada. Ky prodhim është i ndarë: 7 miliardë e 17 milionë kilovat orë i takojnë vetëm kaskadës së Drinit, 497 milionë kilovat orë i takojnë kaskadës së Matit, Bistricës dhe Lanabregasit dhe vetëm 154 milionë kilovat orë është prodhimi nga hidrocentralet private apo të dhënë me koncesion. Ndërsa nga të ardhurat, 200 milionë euro fitimi ka rezultuar 120 milionë euro. KESH ka arritur të mbyllë rreth 15 miliardë lekë, ose rreth 110 milionë euro kredi dhe overdrafte të marra gjatë vitit 2007-2008 për të blerë energji. Janë paguar rreth 5 miliardë lekë kredi afatgjata, që ka marrë KESH në vite për investime. Rreth 2.8 miliardë lekë kanë shkuar për mbylljen e tatimeve dhe TVSH. Pra, në total, rreth 23.9 miliardë lekë janë shpenzuar për mbylljen e këtyre detyrimeve dhe tatimeve e TVSH-së, nga 27 miliardë lekë që ishin të ardhurat vitin e kaluar, njoftojnë burimet zyrtare në KESH. Me këtë prodhim rekord në vite ka ndihmuar performancën pozitive dhe mbylljen e detyrimeve. Viti i kaluar kishte reshje të shumta hidrike, janë derdhur nga portat pa u përpunuar një sasi uji. Por nëse do të kishte mundësi rezervimi, do të ishte prodhuar energji në vlerën 2.3 miliardë lekë, në rast se kjo sasi uji do të kthehej në energji dhe prodhimi në total i vendit do të kapte 10 miliardë kilovat orë. Pra, ka qenë vërtet një vit i jashtëzakonshëm për prurjet, reshjet dhe performancën shumë të mirë ekonomike të KESH-it. Ndërsa prodhimi mesatar i këtyre ditëve është 27 milionë kilovat orë, me përjashtim të ditëve të para të janarit ku, për shkak se industria ka qenë pushim, ka pasur prodhim të ulët. Vijon eksporti i energjisë dhe eksportohen 7.4 milionë kilovat orë energji në ditë. Ndërkohë janë mbyllur kontratat për këtë muaj. Por ajo që është e rëndësishme është se KESH ka bërë planifikimet e veta për vitin 2011. E para është furnizimi me energji i qytetarëve me 4.3 miliardë kilovat orë, nëpërmjet CEZ Shpërndarje, vlerë e kërkuar prej tyre dhe korporata ka marrë masat për ta siguruar atë. Ndërsa kanë mbetur akoma rreth 65 milionë euro. Janë paguar gjatë vitit të kaluar 110 milionë euro, detyrim i marrë në vitet 2007-2008 për import energjie për të siguruar furnizim pa ndërprerje me energji.

(mapo.al)

No comments:

Post a Comment