Juventus, në listën “big” është dhe Sançez

Jo vetëm Aguero dhe Riberi. Bardhezinjtë janë në kërkim të një kampioni. Spikat kiliani i Udinezes
Një gjë është e qartë, në sezonin e ardhshëm Juventusi do të ketë në dispozicion një kampion absolut. Dy synimet e para të Bepe Marotës dhe Fabio Paratiçit mbeten Serxhi Aguero dhe Karlos Tevez. Por, nuk është për t’u nënvleftësuar as rasti i Frenk Riberisë. Francezi i Bajernit të Mynihut, i cili po rigjen vetveten pas largimit të Van Galit, është i pari që i është bashkuar Heinkesit.

Ai sapo ka rinovuar kontratën me bavarezët pas shumë diskutimeve me drejtuesit, por kjo s’do të thotë që s’mund të ndërrojë mendim, i bindur edhe nga fjalët e ish-shokut të tij të skuadrës Luka Tonit, i cili gjithmonë i ka folur me entuziasëm rreth skuadrës bardhezi.

Edhe në këtë rast vlera e lojtarit llogaritet në shifrat e 30 milionë eurove (ndoshta edhe pak më shumë) dhe rroga për të pritet të jetë e majme edhe pse lojtari do të rrezikojë të luajë me një ekip që nuk merr pjesë në Champions.

Në nivelin taktik Riberi është një lojtar perfekt për skemën 4-4-2 të Antonio Kontes, pak a shumë në një rol si ai i Di Marias dhe Kristiano Ronaldos. Gjithsesi Juventusi ende nuk ka hedhur një hap zyrtar: vetëm kur tekniku i sapoardhur, Konte të marrë dirigjimin e skuadrës bardhezi do të fillojnë idetë konkrete për merkaton, duke vendosur mbi pjatë edhe emrat e Benzemasë apo Dzekos.

Sipas shtypit italian nuk duhet nënvleftësuar as rasti i Aleksis Sançez, i cili po ashtu përshtatet në mënyrë perfekte me skemën e Kontes. Ylli i Udinezes, është një nga lojtarët më në qendër të merkatos për momentin, aq sa dhe Barcelona ka kohë që ka nisur të interesohet për të.

I ardhur në verën e 2008-ës në Friuli për 2 milionë euro, tashmë kartoni i sulmuesit kilian shkon në 25-30 milionë euro. Pará, që Juvja synon t’i paguajë të paktën për të sjellë një lojtar kampion në Torino. Pjesë e planit të rinovimeve është edhe Havier Pastore, megjithëse prej Palermos mund të vijë edhe Mauricio Pinila për shifrën e 8 milionë eurove.

Në mesfushë duket se nuk do të ketë më hapësira për Felipe Melon dhe Sisokon. Objektivat e këtij reparti mbeten Fernando i Portos dhe Diarra i Realit të Madridit.

Trajneri

Roma në Argjentinë për Bielsën
Shfaqet një emër i ri për pankinën e Romës. Bëhet fjalë për Marselo Bielsën. Drejtori i ri sportiv i verdhekuqve, Valter Sabatini për momentin ndodhet në Argjentinë për të folur me ish-trajnerin e Kilit. Ky lajm ka pushtuar titujt kryesorë të shtypit argjentins, që ka folur për një takim të shkurtër mes palëve.

Ndërkohë në Romë nuk hidhen poshtë mundësitë e emrave si Pioli (që është shprehur i gatshëm) dhe Deshampit. Por duket se Bielsa është kërkuar dhe në Spanjë nga Sevilja. Në ditët e ardhshme do të bëhet gjithçka e qartë pasi tekniku nuk stërvit një klub që prej 1998-ës, vit kur do t’i jepte lamtumirën Espanjolit megjithëse jo gjithçka është në dorën e tij.

Gjithsesi Sabatini kërkon të bëjë edhe ndonjë goditje merkatoje për të përforcuar Romën amerikane. Sytë janë të fokusuar tek Erik Lamela, 19 vjeç, i River Plejtit, i cili ngjason me Pastoren e Palermos, që gjithashtu bën pjesë në planet e verdhekuqve.

Dyshimi

Kasano-Milan, “aromë” divorci
E ardhmja e Antonio Kasanos tek Milani sa vjen dhe bëhet më e paqartë. Në sezonin e ardhshëm roli i zëvendësuesit mund të mos i shkojë për shtat synimeve të tij.

Për më tepër që këto kohë është vetë agjenti i lojtarit Bepe Bozo, që e kërkon këtë pasi edhe pse kuqezinjtë nuk po bëjnë asnjë gjë tjetër veçse po thonë që ai mund të qëndrojë pa problem edhe sezonin e ardhshëm, situta mbetet krejt ndryshe. Kasano kërkon të luajë titullar për të mos e humbur vendin në kombëtaren “axurre” drejt EURO 2012-ës.

Ndërkohë Prandeli ka lënë të kuptohet se për ta mbajtur në ekip lojtari duhet të gëzojë një formë të mirë fizike duke luajtur sa më shumë ndeshje. Ja përse, pas deklaratave të Mihajlloviçit, Fiorentina mbetet një pistë e favorshme për sulmuesin.

Por sinjali që do t’ia jepte këtë mundësi barezit pritet të vijë pikërisht nga Milani, që po kërkon një tjetër sulmues pykë për repartin ofensiv.
Presidenti bardhezi kritikon vonesën e organizmit më të lartë të futbollit italian, mbi vendimin e “Calciopoli”-t

Anjeli sulmon Federatën: S’kanë ndërgjegje të pastër

Ka folur pak dhe qartë. Presidenti i Juventusit, Andrea Anjeli, i ka dërguar një mesazh mëse domethënës Federatës Italiane të futbollit, nëpërmjet faqes zyrtare të skuadrës bardhezi në Twiter. “Fakti që po vonohen kaq shumë për t’iu përgjigjur apelimit tonë do të thotë se s’kanë një ndërgjegje të pastër”, ka nënvizuar qartë Anjeli.

Është një frazë, e cila po tingëllon mjaftueshëm në ambientet futbollistike dhe shumë shpejt do të jetë thelbi i diskutimeve. Fjalët e Anjelit lidhen me apelimin që klubi torinez ka bërë para një viti, më 10 maj të 2010-ës, lidhur me kampionatin e sezonit 2005/2006.

Ky titull i është rrëmbyer Juventusit si pasojë e çështjes “Calciopoli” dhe i është dorëzuar Interit. 10 majin e këtij viti Juventusi publikoi një shënim në faqen zyrtare: “Kalimi i kohës nuk e ka dobësuar vëmendjen e shoqërisë për titullin e vjedhur, rreth të cilis më 10 maj të vitit të kaluar i kemi paraqitur dhe një ekspoze federatës.

Fakti është që kemi respekt ndaj autonomisë së organeve të drejtësisë sportive mirëpo duket se po abuzohet me përgjegjësinë në sytë e miliona tifozëve që prej kohësh presin një përgjigje të thjeshtë. Trajtimi i dy palëve duhet të bëhet gjithmonë në bazë të drejtësisë në çdo shtëpi, rregulli është virtyt i drejtësisë.”
(www.sportishqiptar.com.al)

No comments:

Post a Comment