Ismail Kadare: Po punohet të na ndajnë nga Evropa

Ismail KadareShkrimtari i madh, Ismail Kadare, vjen me tona të ashpra për shqiptarët dhe heshtjen ndaj dramës së Kosovës. Në librin e ri, hedhur në treg nga “Onufri” vetëm dy ditë më parë, Kadare flet për rimohues shqiptarë, për klane brenda llojit që ndihmojnë deshqiptarizimin, për rikthimin zellshëm të projektit për ndarjen e dy shteteve shqiptare nga Europa, flet për akuzat e Carla del Ponte-s dhe Dick Martyt dhe nevojën që populli shqiptar të mos përfshihet nga paniku, por të lejojë hetimin e krimeve nëse ka të tilla.

Ismail Kadare i rikthehet dramës së Kosovës, bashkë me të edhe dramës së popullit shqiptar. “Mbi krimin në Ballkan; letërkëmbim i zymtë”, botuar nga “Onufri” prej dy ditësh gjendet në treg. Në fakt vetë autori e quan një libërth. Një hyrje e shkruar gjatë muajve të këtij viti mes Parisit dhe Tiranës, shpalos edhe qëllimin e shkrimit të këtij libri. Është pikërisht heshtja ndaj dramës së Kosovës dhe krimeve serbe të ndodhura atje, që në rrjedhë të historisë përbëjnë krimin më të freskët në Ballkan.

Shkrimtari shqetësohet për një tjetër krim që ndihmon të parin, heshtjen e shqiptare. Kjo hyrje është një thirrje dhe njëkohësisht një akuzë për të vetët. “Dymbëdhjetë vite pas çlirimit të Kosovës, një “omerta” e palejueshme ka lënë nën perden e mjegullës krimet e lemerishme serbe. Kanë heshtur për to pikërisht ata që e kishin për detyrë ta ngrinin zërin deri në kupë të qiellit: kronistë, akademikë, historianë, politikanë e publicistë nga të dyja anët e kufirit.

Opinioni publik europian dhe ai botëror, pikërisht ai që i kishte nxitur qeveritë dhe ushtritë e vendeve të tyre të ngrinin avionë për të bombarduar Serbinë, pas mbarimit të luftës e pritën me padurim dëshminë shqiptare. Ajo dëshmi vononte dhe kjo ishte me të vërtetë dramatike. Nuk ishte thjesht një vonesë, ishte më shumë se kaq”, shkruan Kadare në faqet e para të librit.

Në faqet që pasojnë ai i mëshon veçanërisht krimit të madh të serbëve, atë të përdhunimit të mijëra grave, vrasjes së tyre dhe të foshnjave. E quan të pafalshme heshtjen ndaj tmerrit më të madh të Kosovës, që do të ndiqej nga një tjetër tmerr: atë të mosdëshmimit.

Kadare flet sërish për klane, për rimohues, për një Shqipëri e këtë radhë edhe Kosovë të shitur. “Ndërkaq të tjera pasione po shfaqeshin në Kosovën e porsadalë në dritë. Ndër to, ishin tri etje të pashpallura ndonjëherë kaq babëzisht: etja për pushtet, ajo për para dhe, e fundit, por jo më e pakta, etja për lavdi. Shqipëria fqinje, ndonëse shtet gati shekullor, dhe me arsye të ngjashme për t’iu ngazëllyer lirisë, nuk arriti t’i rrezatojë diçka më të mirë shtetit të ri shqiptar, ngaqë vetë vuante nga e njëjta lëngatë”, shkruan ndër të tjera Kadare. 
(Telegrafi.com)

No comments:

Post a Comment