Ina Rama, vartësve: Të gjithë në gatishmëri për zgjedhjet e 8 majit

Kryeprokurorja: Gjatë fushatës ka një shtim të incidenteve për zgjedhjet.Tri ditë para zgjedhjeve lokale të 8 majit, Kryeprokurorja Ina Rama ka mbledhur drejtuesit e prokurorive të rretheve, duke u kërkuar që në këtë proces zgjedhor akuza të jetë në lartësinë e duhet dhe në gatishmëri të plotë. Në qendër të këtij takimi ishin masat organizative që duhet të merren nga Prokuroria shqiptare dhe detyrat që i dalin asaj për përballimin me sukses të procesit zgjedhor për organet e qeverisjes vendore të datës 8 maj 2011.

“Është detyrë e organit të akuzës që të ushtrojë kompetencat e tij në funksion te garantimit të një procesi zgjedhor të lirë, transparent dhe demokratik, ndaj, në kushtet kur gjatë zhvillimit të kësaj fushate elektorale vihet re një shtim i fenomenit shqetësues të incidenteve që lidhen me zgjedhjet, është e domosdoshme, jo vetëm për ndjeshmërinë e opinionit publik, por dhe për imazhin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, që Prokuroria t’i përgjigjet kësaj situate me shtimin e gatishmërisë dhe marrjen e masave tekniko-organizative”, - tha Ina Rama. Sipas saj, Prokuroria shqiptare, si një institucion i pavarur duhet të kryejë me paanësi detyrën e saj kushtetuese në të gjitha rastet e shkeljes së ligjit në nivelin e një vepre penale, të kryera qoftë nga zgjedhësit, apo nga anëtarë të organeve që janë të ngarkuara nga ligji me kryerjen e procesit zgjedhor, duhet të garantojë se do të bëjë proces hetimor profesional, të paanshëm dhe larg çdo ndikimi politik.

Një rëndësi në takim iu kushtua edhe masave që duhen marrë në përballimin e kësaj situate në bashkëpunim me strukturat e policisë së shtetit dhe organet e tjera të zbatimit të ligjit. “Gatishmëria e çdo punonjësi, prokuror apo oficer i policisë gjyqësore për t’iu përgjigjur në kohë dhe në lartësinë e duhur çdo rasti që paraqitet, mbetet prioritet kryesor, por në përballimin me sukses të detyrave në këtë situatë merr rëndësi rritja e efikasitetit dhe profesionalizmit në hetimin e secilës çështje”, u shpreh Kryeprokurorja. Në përfundim të takimit me drejtuesit e organit të akuzës, Prokurorja e Përgjithshme tha se akuza duhet të ushtrojë funksionet e saj në përmbushje të detyrimeve kushtetuese në këtë proces, duke marrë përsipër të gjitha përgjegjësitë që ligji i ngarkon për mirëfunksionimin e shtetit të së drejtës në vendin tonë.

No comments:

Post a Comment