ILO: Kriza ekonomike ka rritur diskriminimin në punë

Zyra Ndërkombëtare e Punës, ILO, në raportin e saj mbi barazinë në punë gjatë këtij viti, thekson se kriza ekonomike botërore është bërë shkak kryesor për diskriminimin në punë.

“Kohërat e vështira ekonomike janë një terren i favorshëm për diskriminim në punë dhe më gjerë në shoqëri. Ne e vërejmë këtë gjë me rritjen e zgjidhjeve populiste”, thotë Drejtori i Përgjithshëm i ILO-s, Juan Somavia.

Më tej theksohet se diskriminimi mbi baza të shumëfishta po bëhet rregulli dhe jo përjashtimi, duke vënë alarmin se në periudha rënieje ekonomike ekziston një tendencë për t’i dhënë prioritet më të ulët politikave anti-diskriminuese dhe të drejtave të punëtorëve në praktikë.

Në raport u bëhet thirrje qeverive që të parashikojnë burime njerëzore, teknike dhe financiare për përmirësimin e mbledhjes së të dhënave mbi diskriminimin në nivel kombëtar.

Gjithashtu veçohet fakti se është shtuar barazia gjinore në punë, por pavarësisht kësaj diferenca në pagë vazhdon të ekzistojë, ku pagat e femrave janë mesatarisht sa 70 deri 90 për qind e pagave të meshkujve.

Një tjetër shqetësim lidhet me ngacmimin seksual i cili konsiderohet si një problem i rëndësishëm në vendin e punës, ku më të prekura konsiderohen femrat në moshë të re, me varësi ekonomike, femrat beqare apo të divorcuara dhe punëtorët migrantë, ndërkohë që meshkujt që kanë patur eksperienca ngacmimi seksual priren të jenë të rinj, homoseksual ose anëtarë të minoriteteve etnike apo raciale.

Sakaq raporti vëren se, “Punëtorët migrantë përballen me diskriminim të gjerë për sa i përket aksesit në punësim, dhe shumë prej tyre diskriminohen mbasi punësohen, përfshirë këtu dhe pjesëmarrjen në programet e sigurimeve shoqërore. Një numër në rritje femrash dhe meshkujsh diskriminohen për shkaqe që kanë të bëjnë me besimin, ndërkohë që diskriminimi për shkak të bindjeve politike priret të vërehet në sektorin publik, ku besnikëria ndaj politikave të autoriteteve në pushtet mund të jetë një faktor për aksesin në punësim. Diskriminimi që ka lidhje me punën vazhdon të ekzistojë për shumicën e 650 milionë personave me aftësi të kufizuara në botë, sikurse vihet re nga nivelet e ulëta të punësimit të tyre. Personat me HIV/AIDS mund të diskriminohen nëpërmjet politikave të detyrueshme të analizave ose analizave, të cilat nuk janë vullnetare apo konfidenciale. Në Bashkimin Evropian, 64 për qind e personave të intervistuar presin që kriza ekonomike të sjellë si pasojë në tregun e punës më shumë diskriminim për shkak të moshës.

Në një numër të kufizuar vendesh të industrializuara ka dalë në sipërfaqe si çështje e ditës diskriminimi për shkak të mënyrës së jetesës, veçanërisht në lidhje me duhanpirjen dhe obezitetin”.

Ndërkaq Raporti Botëror rekomandon katër fusha prioritare për diskriminimin, ku përfshihen promovimi i ratifikimit universal dhe zbatimit të dy Konventave themelore të ILO-s mbi barazinë dhe mos-diskriminimin në punësim dhe profesion; zhvillimin e kapacitetit institucional të partnerëve të ILO-s për implementimin më efektiv të së drejtës themelore të mos diskriminimit në punë; dhe forcimin e partneritetit ndërkombëtar me aktorë të rëndësishëm për barazinë.

Sipas raportit përgjigja e duhur diskriminimit mund ti jepet përmes kombinimit të politikave për rritje ekonomike me politika punësimi, mbrojtjeje shoqërore dhe të drejtash në punë, duke mundësuar që qeveritë, partnerët socialë dhe shoqëria civile të punojnë bashkërisht, përfshirë këtu dhe ndryshimin e sjelljes nëpërmjet edukimit.
(noa.al)

No comments:

Post a Comment