Greqi, më 10 maj regjistrimi i popullsisë

Që prej datës 10 maj, në Greqi do të nisë regjistrimi i popullsisë, i cili do të zgjasë 14 ditë.Lajmi është bërë publik nga instituti grek i statistikave, i cili pranon se regjistrimi u vendos të bëhet pas një shtyrjeje dymujore, e cila u imponua për arsye teknike.

Sipas këtij instituti, regjistrimi i popullsisë dhe banesave, ku jetojnë afërsisht 11 milionë grekë dhe emigrantë, do të kryhet nga 55.000 persona të autorizuar dhe trajnuar nga ekspertë të fushës së statistikave.

Regjistruesit do të ndahen në 13.000 grupe, që do të monitorohen nga instituti në fjalë. Këto ekipe kanë për detyrë të intervistojnë shtëpi më shtëpi të gjithë personat që jetojnë në territorin grek.

Plotësimi i formularit llogaritet në rreth 25 minuta kohë. Në formularin prej 21 pikash janë vendosur pyetje që kanë të bëjnë me emrin, identitetin, moshën, gjendjen familjare, nivelin arsimor, profesionin dhe shtetësinë e personit.

Regjistrimi do të kryhet vetëm për ata që ndodhen në banesë në momentin e mbërritjes së punonjësve të institutit.

Të intervistuarit duhet të kenë me vete një dokument identifikimi dhe të sqarojnë me gojë llojin e marrëdhënies me familjen, ose kryefamiljarin e saj.

Vlen të përmendet se në këtë pyetësor, në asnjë pikë të tij nuk parashikohen pyetje që kanë të bëjnë me besimin fetar, origjinën, kombësinë, apo besimin partiak të të intervistuarit.

Formulari i këtij pyetësori është ndërtuar nga ekspertë të fushës dhe ka si prototip formularë të njëjtë të vendeve të tjera të Bashkimit Europian.

Ai ka marrë pëlqimin e organizmave ndërkombëtare lidhur me sigurinë dhe privatësinë e pyetjeve të shtetasve të intervistuar.

Regjistrimi i fundit i popullsisë në Greqi është zhvilluar në vitin 2001. Në atë periudhë në Greqi banonin rreth 11 milionë shtetas, ku afërsisht 1 milion ishin emigrantë, 570.000 prej të cilëve shqiptarë.

No comments:

Post a Comment