Godo: Fushata e Bashës në Tiranë, risi për politikën

Politikani i njohur, Sabri Godo, vlerëson fushatën që është duke zhvilluar kandidati i koalicionit të djathtë për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Godo shprehet se përpara se të bënte premtimet për qytetarët, Basha është konsultuar me ekspertë të fushës, teksa shton se akuzat e PS-së nuk do të ndikojnë, pasi nuk janë provuar.”Unë e dëgjova edhe mbrëmë Ramën, i cili refuzoi në një mënyrë absurde, duke dashur ta likuidojë kundërshtarin me dy fjalë, por kjo nuk bëhet. Tha që ky kandidat nuk ekziston. Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë që ai nuk e njeh palën tjetër fare, i duket vetja Zot i plotfuqishëm. Mua më duket një gabim taktik i Ramës”.Na ndajnë edhe pak ditë nga 8 maji, kur qytetarët do t’u drejtohen kutive të votimit. Si ju është dukur kjo fushatë elektorale?
Është një fushatë intensive, është disi vazhdimi i politikës së këtyre dy viteve. Ka një klimë të nxehtë, që kulmon me këtë fushatë. Në përgjithësi them që kjo fushatë funksionoi. Ka pasur disa akte dhune. Por dua të theksoj se në kohë të tilla fillon të lëvizë krimi ordiner. Janë individë që mendojnë se qeveria është e zënë me punë të tjera dhe është koha për ndonjë vjedhje dhe larje hesapesh personale dhe mendojnë se gjërat mund të konfondohen me politikën dhe të mos merret vesh se çfarë origjine ka. Janë vërtetuar këto raste që është aktivizuar krimi ordiner. Këtu duhet të jetë vëmendja e policisë, ndërsa politika duhet t’i ndajë gjërat, dhe jo të krijojë konfuzion. Ajo që përbën më tepër shqetësim për mua nuk është mbyllja e fushatës, sesa ajo që do të vijë më mbrapa. Ne nuk jemi mësuar që të bëjmë zgjedhje dhe të pranojmë rezultatin. Kjo është praktika e 20 viteve të shkuara, kjo është një gjë shumë negative për këta që drejtojnë politikën në Shqipëri. Por mbetem me shpresë se presioni i madh që është duke bërë komuniteti ndërkombëtar do t’i detyrojë palët të heqin dorë nga praktikat e kaluara, sepse ai që do të tentojë të kontestojnë pa të drejtë rezultatin ose të prishë zgjedhjet, do ta vërë veten në një gjendje izolimi. Komuniteti ndërkombëtar këtu ka peshën e tij. Duhet të besojmë se do të mbyllen mirë këto zgjedhje, por, të them të drejtën, unë një shqetësim të fortë e kam.
Për t’u ndalur edhe në një moment në rastet e dhunës të shfaqura ditët e fundit, nuk është se ka pasur vetëm krime ordinere, por edhe me prapavijë politike, si shpërthimi te çadra e PS-së, apo plagosjet e fundit në Lezhë…
Përveç gjallërimit të krimit ordiner, ka edhe akte të dhunës që lidhen me fushatën dhe që duket që janë akte të pastra. Për shembull, rrahja në Lezhë mes kandidatëve, ose kërcënimi që i bënë kandidatit socialist në Sarandë. Ai është një burrë i qetë, që nuk do të bëjë zhurmë rreth vetes dhe pavarësisht se është në krahun e kundërt, i thonë një fjale: “Kija inatin dhe foli hapur”. Ka raste provokimi, kërcënimesh, dhe këto hedhin hije mbi fushatën, por meqenëse këto nuk mund të jenë 100 për qind të evitueshme, arrijmë në atë përfundimin që thashë më parë, që deri këtu kjo fushatë është e pranueshme. Nëse në dy-tri ditët që mbeten do të ketë një dendësim të tyre, atëherë me të vërtetë që fillon dhe komprometohen zgjedhjet. Unë e përshëndeta mesazhin që bëri disa ditë më parë Berisha për të hequr dorë nga dhuna. Puna është se deri ku e kanë kuptuar këtë militantët e Partisë Demokratike dhe si e kanë interpretuar këtë thirrje. Ai u bëri një thirrje sepse Berisha është njeriu më i interesuar që zgjedhjet të shkojnë mirë. E kam thënë edhe gjetiu, se përgjegjësia kryesore për mbarëvajtjen e zgjedhjeve është e qeverisë, të paktën në opinionin e jashtëm. Prandaj ai do të donte të shkonim në këto zgjedhje pa akte dhune, pa eksese, pa i nxehur gjakrat tej asaj që është normale. Kjo duhet të ishte përkrahur edhe nga partitë e tjera, nga kandidatët për kryetarë bashkish dhe komunash dhe ku secili duhet të ndiente përgjegjësi politike dhe morale t’u bënte thirrje zgjedhësve të vet të heqin dorë nga çdo akt dhune dhe nga çdo lloj konflikti.
Po përsa i përket fushatës në Tiranë, si do t’i cilësonit këto 26 ditë nga momenti kur ajo ka filluar? Është kjo një fushatë e qetë?
Kjo në radhë të parë i dedikohet Lul Bashës, sepse ai është duke përdorur një gjuhë shumë qytetare. Ai deklaroi që në fillim dhe nguli këmbë që do të merret gjatë fushatës, por edhe më pas, nëse fiton, me problemet e qytetit dhe duke i shtrirë dorën palës tjetër për bashkëpunimin. Unë them se ai ka bindje në këtë që thotë. Nuk kemi të bëjmë këtu me një demagogji politike, por me një bindje të thellë të tij, se vetëm në këtë rrugë mund të ketë sukses si kryetar bashkie. Nëse ia del kësaj në krye, ai me të vërtetë sjell një gjë të re për politikën shqiptare në tërësi. Sidomos në zgjedhjet lokale duhet të merremi me problemet e qytetit, komunës, dhe jo me synimin për të mposhtur kundërshtarin politik. Kjo do të mbetet si sfond i fushatës, por duhet të kalojë në dorë të dytë dhe të tretë. Duhet vënë përpara pyetja se si duhet të zgjidhen problemet e qytetit, që kryetari i Bashkisë të meritojë votën e qytetarëve? Lul Basha këtë politikë adoptoi dhe është duke e çuar përpara me vendosmëri. Në krahun tjetër shohim Edi Ramën, i cili prej fillimit ka dashur ta transformojmë të gjithë fushatën elektorale në një fushatë politike mbarëkombëtare për rrëzimin e qeverisë. Është një gjë që me të vërtetë nuk shkon, ka një mospërputhje të gjërave.
Si i vlerësoni premtimet e Bashës në këtë fushatë? Ai ka folur për ulje taksash, hapjen e 30 mijë vendeve të punës, ka premtuar gjithashtu një miliard euro investime, si dhe një sërë ndërtimesh të mëdha në infrastrukturë?
Doemos, këtu ka ndikimin e vet edhe entuziazmi i Bashës për të ndryshuar gjërat dhe për t’i hapur rrugët e zhvillimit qytetit. Unë jam i sigurt për një gjë: që ai ka pasur urtësinë të këshillohet me njerëz kompetentë, me njerëz që mund të thonë fjalën e tyre për urbanistikën, ose për probleme të tjera të qytetit. Më delikate është çështja e taksave. Ai është këshilluar me financierë dhe ka bërë llogari paraprake. Deri ku janë të sakta këto, do ta shohim kur t’i vijë koha. Rëndësi ka që ai përpiqet të thotë të vërtetën dhe ka bindjen se ajo është e vërteta. Realiteti mund të përgënjeshtrojë disa gjëra, por rëndësi ka fakti që ai beson në atë që thotë. Nuk është duke i mashtruar qytetarët.
Nga PS-ja kanë ardhur disa akuza për pasaportën amerikane të përdorur për të blerë një shtëpi në Holandë, apo për nënshtetësinë e bashkëshortes. Sa mendoni se do të ndikojnë këto akuza në rezultatin e zgjedhjeve në Tiranë?
Nuk besoj se do të ndikojnë. Doemos, pala tjetër do të kërkonte në çdo anë të jetës private të Bashës, por nga këto që janë thënë deri tani nuk rezulton asgjë komprometuese për të. Është një fakt që e shoqja ka qenë që herët në Holandë, edhe Lulzimi ka qenë aty. Që kanë blerë një shtëpi modeste, kjo është një gjë krejt normale. Nuk është se kjo peshon në atë që quhet “biografia politike e Bashës”. Nuk rezulton asgjë komprometuese. Sigurisht që shtypi do të bëjë zhurmë rreth këtyre. Sipas mendimit tim, këto nuk kanë pasur asnjë efekt mbi elektoratin.
Edhe në këto zgjedhje sërish nuk do të ketë debat mes kandidatëve…
Unë e dëgjova dhe mbrëmë Ramën, i cili refuzoi në një mënyrë absurde duke dashur ta likuidojë kundërshtarin me dy fjalë, por kjo nuk bëhet. Tha që ky kandidat nuk ekziston. Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë që ai nuk e njeh palën tjetër fare, i duket vetja Zot i plotfuqishëm. Mua më duket një gabim taktik i Ramës. Mbase qytetarët do të kishin qenë më të qartë për njërin dhe për tjetrin nëse do të dëgjonin disa debate ndërmjet tyre, siç është normale të jetë, por Rama e refuzoi në një mënyrë kryeneçe dhe të pajustifikuar këtë debat.
Fakti që Basha ka marrë pjesë te “Iniciativa për Tiranën” është në favor të tij?
Basha bëri një fushatë moderne dhe nuk la asnjë mundësi pa shfrytëzuar, kështu që e kuptoj edhe bashkëpunimin e tij me “Iniciativën për Tiranën”. Basha nuk la shtresë shoqërore pa përfshirë në këtë diskutim ndërmjet tij dhe zgjedhësve.
Në Tiranë, Basha po bën një fushatë pa Berishën dhe Metën. E shikoni këtë si një taktikë të Bashës?
Unë besoj se kanë rënë në ujdi me Berishën dhe mua më duket një gjë e mirë, sepse më në fund kjo është puna e Bashës, ky është kopshti i tij dhe ai duhej të tregonte veten. Nëse do të ndërhynin të tjerë në favor të tij, nuk do të bënin gjë tjetër veçse do ta pengonin Bashën në komunikimin me njerëzit. Është më mirë që ndodhi kështu.
Po fakti që diferenca në vitin 2007 mes Ramës dhe kandidatit të PD-së, Sokol Olldashi, ishte 22 mijë vota…
Gjërat kanë ndryshuar. Njerëzit lodhen duke parë dhe duke dëgjuar gjithmonë të njëjtin individ. Tani është pjekur opinioni se Rama atë që kishte për të bërë për Tiranën e bëri në vitet e para dhe tani nuk thotë më ndonjë gjë të re. Qyteti i Tiranës është ngarkuar me ndërtime tej asaj që mund të mbajë dhe jo me kriteret e duhura. Në qoftë se nuk fillon të bëhet një ndryshim me të vërtetë thelbësor, ai do ta shohë veten të bllokuar jo vetëm me qarkullimin rrugor, por edhe me problemet e tjera që ka jeta e përditshme. Them se është pjekur mendimi se duhet një ndryshim dhe se njeriu që mund ta sjellë këtë ndryshim është Lulzim Basha. Diferenca e votave që ka qenë në të kaluarën unë besoj se është zhdukur.
Pak ditë më parë ka pasur një incident në takimin e Bashës me pedagogët dhe studentët e Universitetit…
Unë pashë që u ngrit një zhurmë mediatike rreth kësaj ngjarjeje. Nuk i pashë sekuencat se ç’ka ngjarë me të vërtetë atje. Di që kjo zonjë ndoshta ka folur pak më ashpër nga ç’mund të flitet. Nuk është e drejtë ta etiketosh tjetrin dhe t’i thuash “vrasës”. Në një takim elektoral mund t’i bësh pyetje, mund të jesh dhe i ashpër, por çdo gjë ka një kufi.
Shumë vendime të KQZ-së janë votuar vetëm nga 4 anëtarë, ç’ka ka bërë që disa prej tyre të përfundojnë në Kolegj. A po përgatiten siç duhet këto zgjedhje?
Ndoshta ata kanë vullnetin të jenë korrektë dhe të punojnë mirë sepse ndiejnë edhe një mbikëqyrje të fortë mbi vete nga ana e ndërkombëtarëve, por gjithsesi, ai është një komision partiak. Ata katër anëtarë që janë atje të maxhorancës, janë nëpunës të PD-së, do të mbrojnë interesat e kësaj partie. Kjo është e natyrshme, derisa ky komision ka një përbërje politike. Ne do të shpëtojmë nga kjo kur të vijë koha që të rikthehemi te ajo që ka thënë Kushtetuta, që duhet të jetë një komision i depolitizuar, të jenë atje personat e emëruar nga Presidenti, Gjyqësori etj. Dhe të dalim nga kjo gjendje që do të jetë një KQZ me katër anëtarë andej dhe tre këndej. Sa kohë të jetë kjo, gjithmonë do të jemi në vuajtje me KQZ-në dhe me strukturën zgjedhore në përgjithësi.

No comments:

Post a Comment