Gigs: Mançesteri nuk do të ndalet

37-vjeçari mendon se edhe brezi i ardhshëm i Junajtid do të jetë i suksesshëm.


Rajën Gigs është sigurisht ndër lojtarët aktualë të Mançester Junajtid që janë të destinuar për sukses edhe më të madh. Në moshën 37-vjeçare, lojtari veteran nga Uellsi e di shumë mirë se nuk do të jetë edhe për shumë kohë në Premier Ligë.

Megjithatë, tashmë që ai ka fituar titullin e 12-të në Premier Ligë, Gigs ka edhe një sezon tjetër për të luajtur si protagonist në “Old Traford” dhe trajneri Sër Aleks Ferguson nuk ka hequr nga mendja idenë se lojtari i tij veterean mund të mos jetë në fushë edhe pas sezonit që vjen.

Pavarësisht sa shumë do të luajë, Gigs është i sigurt se Junajtid do të ketë një të ardhme të ndritur plot trofe, pavarësisht se Mançester Siti mund të jetë një sfidë e vërtetë për ta. “Skuadra jonë mund të fitojë edhe më shumë”, ka thënë Gigs. “Nëse i hedh një shikim dhomës së zhveshjes sheh lojtarë si Fabio, Rafael, Kris Smolling dhe Havier Hernandez.

Ata do të jenë për shumë kohë në këtë skuadër. Shihet qartë se e duan klubin me sinqeritet sepse janë të përkushtuar edhe në stërvitje. Kjo është pjesë e strategjisë së trajnerit për t’i bërë gjërat që të ecin përpara sa më mirë. Por jemi edhe unë, Pol Skols, Edvin van der Sar dhe Geri Nevil.

Pastaj kemi lojtarë që janë në fund të moshës 20-vjeçare dhe në fillim të të 30-ave si dhe lojtarë më të rinj. Ne motivojmë njëri-tjetrin. Fitimi i medaljes së parë të kampionit për lojtarët e rinj dhe futbolli që ata kanë dhuruar ka qenë një moment fantastik.

” Në fakt, më shumë se në çdo sezon, Gigs është i bindur se titulli i 19-të ishte arritje e skuadrës, me kontribute vetëmohuese nga lojtarë si Park Ji sung dhe Darren Fleçer si dhe performanca konstante të kapitenit Nemanja Vidiç. “Do të ishte e vështirë të dalloje me gisht një lojtar tonin këtë sezon”, shprehet Gigs.

“Ka qenë me të vërtetë një fitore kolektive. Skuadra ka punuar përherë mirë dhe e ka treguar në disa raste edhe me rezultate të suksesshme në fund të ndeshjeve. Nëse pyesni 10 tifozë të Junajtid për lojtarin e preferuar, do të të japin përgjigje të ndryshme.

Cilin mund të zgjedhin? Ky ka qenë çelësi i suksesit tonë.” Ky sukses ka shumë vlera për Junajtid sepse me këtë titull kanë lënë pas Liverpulin me 18 tituj. Për një tifoz të vjetër të Junajtid, si Gigs, ky është një tjetër motiv për të festuar.

“Në vitet 1970 dhe 1980 ishte e vështirë të ishe tifoz i Junajtid sepse Liverpuli fitonte gjithçka. Ata janë rivalët tanë më të mëdhenj dhe para 20 vitesh ne ishim 11 tituj pas. Nuk mendohej se mund t’i kapnim. Por meritat i takojnë klubit dhe trajnerit.

Ne e ngushtuam diferencën dhe më në fund i kaluam. Nuk jam ndryshe nga tifozët e tjerë që shohin Junajtid. Eshtë moment special për ne tifozët e Junajtid që jemi në këtë pozicion.”

(sportishqiptar.com.al)

No comments:

Post a Comment