Gërdeci, “vuloset” lirimi i Delijorgjit

Gjykata e Lartë lë në fuqi lirimin nga burgu të tre të pandehurve të dosjes “Gërdeci”, Mihal Delijorgji, Ylli Pinari dhe Sokol Ngjeci.Sipas Gjykatës së Lartë, të akuzuarit për tragjedinë duhet të vijojnë të qëndrojnë në masën e sigurisë “arrest shtëpie”, ndonëse prokuroria kërkoi rikthimin e tyre në burg. Një kolegj penal i kësaj gjykate shpalli verdiktin përfundimtar mbi ankimimin e prokurorisë për vendimet gjyqësore që liruan tre të pandehurit. Gjykata e Lartë vendosi lënien të pandryshuar të vendimit të Gjykatës së Apelit të datës 11 mars 2011. Në këtë datë Apeli konfirmoi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë që liroi nga qelia Delijorgjin, Pinarin dhe Ngjecin, për shkak të tejkalimit të afateve të paraburgimit. Në seancën e djeshme është lexuar vetëm dispozitivi i vendimit, ndërkohë që arsyetimi i tij do të zbardhet ditët në vijim. Kërkesa e prokurorisë për kthimin në qeli të Mihal Delijorgjit, bosit të “Albademil”-it, Ylli Pinarit, ish-kreut të MEICO-s dhe Sokol Ngjecit, u depozitua në Gjykatën e Lartë në mesin e muajit prill. Kolegji penal që e shqyrtoi atë u shpall në seancën e dytë në radhë për këtë çështje. Pak ditë më parë, më 4 maj, Gjykata, pasi u njoh me pretendimet e palëve, nuk mundi të arrijë në një vendim përfundimtar, vendim i cili u shpall dje.
PRETENDIMET
Në seancën e 4 majit, gjatë paraqitjes së pretendimeve para gjykatës, prokurori i çështjes tha se vendimi i Shkallës së Parë, që liroi nga qelia tre të pandehurit, ishte i gabuar. Përfaqësuesi i akuzës pretendoi se vendimi i Gjykatës së Lartë të 2 shkurtit 2011, që liroi të bashkëpandehurin e tyre, Dritan Minxolli, ishte konsideruar si detyrues nga Shkalla e Parë. “Çështjet që kanë të bëjnë me përcaktimin e masave të sigurisë shqyrtohen të ndara. Një vendim i Kolegjit Penal nuk mund të krijojë efekt te një çështje tjetër”, tha prokurori. Njëkohësisht, prokuroria pretendoi se Gjykata e Shkallës së Parë ishte gabuar në llogaritjen e afateve të paraburgimit të tre të pandehurve. Sipas përfaqësuesit të akuzës, llogaritja e afatit të paraburgimit duhet të niste në kohën kur dosja “Gërdeci” kishte mbërritur në Gjykatën e Shkallës së Parë. Nga ana e tyre, avokatët i kërkuan Kolegjit Penal që vendimi i Shkallës së Parë, që liroi nga qelia tre të pandehurit dhe vendimi i Apelit, që konfirmoi këtë vendim, të mos cenoheshin.

Mungojnë avokatët, shtyhet “Gërdeci”

TIRANE – Në kohën kur Gjykata e Lartë vendoste mbi rekursin për tre të pandehur të dosjes “Gërdeci”, gjykimi i dosjes në themel në Gjykatën e Tiranës nuk u zhvillua. Seanca e djeshme në ngarkim të 29 të pandehurve të akuzuar për shpërthimin tragjik të 15 marsit 2008 u shty për një datë të re. Shkak i ndërprerjes së seancës u bënë mungesat e disa prej mbrojtësve ligjorë në proces. “Në kushtet kur nuk janë paraqitur mbrojtësit e të pandehurve Gëzim Oshafi, Ylli Pinari dhe për shoqërinë ‘Albademil’ sh.p.k., duke lënë pa mbrojtje të pandehurit respektivë, vendosi të shtyjë seancën gjyqësore”, thuhej në vendimin e ndërmjetëm të Gjykatës. Aktualisht ky proces është në fazën e marrjes në pyetje të të pandehurve të dosjes.

(panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment