Gara për Tiranën, Kolegji Zgjedhor shqyrton sot ankesën e PS

Sot do të jetë një ditë “e nxehtë”. Jo vetëm politika, por mbarë shqiptarët do të kthejnë sytë nga Kolegji Zgjedhor, i cili në orën 13:00 do të mblidhet të shqyrtojë kërkesën e subjektit politik Partia Socialiste, për miratimin e KZAZ nr.49.

Në kërkesën ankimore të paraqitur nga PS-ja thuhet se, në përfundim të numërimit të votave për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, dhjetë KZAZ-të e kësaj zone aprovuan tabelat përmbledhëse të rezultateve të qendrave të votimit, ndërsa KZAZ-ja nr.49 nuk e miratoi këtë tabelë. Bëhej fjalë pikërisht për rezultatin e kutisë së fundit, nga numërimi i së cilës kandidati i PS-së për kryetar bashkie, Edi Rama, i cili e ka mbajtur këtë post për tre mandate rresht, doli në avantazh me dhjetë vota. Në kushtet kur KZAZ-ja nr.49 nuk e miratoi rezultatin e dalë nga kutia e 485-të, Partia Socialiste i kërkon Kolegjit ta detyrojë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që ta miratojë rezultatin dhe pasi të bëjë shumatoren e procesverbaleve të numërimit të 11 KZAZ-ve, të shpallë rezultatin paraprak për kryetarin e Bashkisë së Tiranës.

Kërkesa ankimore e socialistëve do të shqyrtohet nga Kolegji Zgjedhor dhe në varësi të vendimit që do të marrë ky Kolegj, do të vendoset dhe për fatin e kryetarit të ri të Bashkisë. Fati i kërkesës së parë ankimore do të jetë në duart e katër gjyqtareve, të përzgjedhura nga shorti, Entela Prifti, Sashenka Jonuzi, Dhurata Haveri dhe Marie Qiriazi.

Kërkesa e dytë ankimore e Partisë Socialiste që i drejtohet këtij kolegji, është të shpallë të pavlefshëm procedurën dhe vendimin e KQZ-së, datë 18 maj 2011, kur u vendos për numërimin e fletëvotimeve të hedhura në kutitë e gabuara. Por me sa duket kjo kërkesë nuk do të shqyrtohet sot nga Kolegji Zgjedhor.
(balkanweb.com)

No comments:

Post a Comment