Fshatarët e Kukësit dëmtojnë kamerat e shkencëtarëve


“Menduam se ishin vënë nga policia, për ruajtjen e pyjeve”
Një nga kafshët më të rralla në botë dhe më interesante siç është rrëqebulli, rrezikon të zhduket nga pyjet shqiptare, përveç të tjerave edhe nga mungesa e informacionit nga ana e banorëve të zonave të thella malore.

Një program ndërkombëtar kushtuar rrëqebullit është sabotuar së fundi nga fshatarët e zonave malore të Kukësit, të cilët kanë dëmtuar me dashje kamerat vëzhguese të vendosura nga shkencëtarët në pyje për të fotografuar kafshën e rrallë.

Në territorin e Kukësit mendohet se jetojnë në gjendje të egër një numër i konsiderueshëm rrëqebujsh. Inxhinieri i pyjeve, Ilmi Gjana, i interesuar për sensibilizimin e banorëve të zonave të thella tregon se në krejt Ballkanin mendohet se janë vetëm 40 ekzemplarë, nga të cilët rreth 20 individë, pra gjysma e tyre janë në Shqipëri dhe kryesisht në Kukës dhe Librazhd.

Por Gjana tregon gjithashtu se komuniteti jo gjithnjë është bashkëpunues në këtë aspekt dhe persona të caktuar mund të bëhen pengesë për ruajtjen e species, më së shumti, siç tha ai, nga mungesa e informacionit. Është pikërisht rasti dëmtimit të kamerave të fshehta të vendosura në masivet pyjore mes komunave Surroj dhe Arrën në vendin e quajtur Karpat, ku janë dëmtuar dy kamera vëzhgimi. “Kemi biseduar me fshatarët që banojnë në afërsi dhe që njohin shumë mirë zonën. Na thanë se i kanë dëmtuar kamerat, sepse nuk e kanë ditur se për çfarë arsyeje ishin vendosur aty. Kishin menduar se janë kamera të policisë dhe do të vëzhgoheshin ata që dëmtojnë pyllin për dru zjarri”, thotë inxhinieri Gjana, duke shtuar se të dyja kamerat të vendosura në një shteg në afërsi të një burimi, që është i rrallë në atë zonë, i kishin bërë copë-copë.

Ai shpjegon se kamerat kanë qenë të vendosur disa javë më herët nga ekipi kërkimor i PPNEA-s, një shoqatë me partnerë nga Gjermania, Zvicra, Maqedonia dhe Norvegjia për mbrojtjen e mjedisit natyror në Shqipëri. Kjo e fundit nëpërmjet një uebi të saj në internet tregon se në rastin e Shqipërisë kemi të bëjmë me një program për studimin dhe ruajtjen e rrëqebullit (Programi për Rimëkëmbjen e Rrëqebullit të Ballkanit).

Në ditët e marsit të këtij viti kamerat e këtij programi kanë arritur të fiksojnë fotografinë e parë në Shqipëri të rrëqebullit të egër, në lëvizje gjatë orëve të natës çka, siç tregojnë specialistët përbën një ngjarje të rëndësishme.

Kamerat janë të pajisura me sensorë dhe vihen në funksion vetëm kur para objektivit ka lëvizje, e cila fotografohet në çast pa shqetësuar kafshën e egër. Deri vonë, forumet ndërkombëtare të mjedisit dhe në tërësi punëtorët e shkencës nuk pajtoheshin me faktin që në Shqipëri jeton një numër individësh rrëqebulli në gjendje të egër.

Në të vërtetë, konfirmimi i ekzistencës së rrëqebullit në Shqipëri është bërë në mënyrë amatore përmes personave që pasi e kanë vrarë si një kafshë të egër e kanë balsamosur duke e ekspozuar në lokale të ndryshme.


Mbrojtja

Kjo krijesë e egër, elegante, e bukur dhe e fortë mbrohet edhe me ligjin për Mbrojtjen e Faunës së Egër. Rrëqebulli si kafshë e rrallë ka pasur mbrojtje ligjore edhe në dekadat e komunizmit dhe klasifikohet sot e gjithë ditën në Listën e Kuqe si kafshë e rrezikuar në mënyrë kritike për zhdukje. Nga ana tjetër, rrëqebulli mbrohet edhe nga konventat ndërkombëtare si ajo e Bernës, Konventa Ndërkombëtare për Tregtinë e Specieve në Rrezik etj. Por barinjtë nganjëherë veprojnë kundër këtyre konventave nga mungesa e informacionit dhe prishin edhe kamerat e vëzhgimit të fshehtë.

(gazeta-shqip.com)

No comments:

Post a Comment