FMN: Shqipëria, rritje ekonomike e ulët, por më e lartë se fqinjët

Ritmet e rritjes ekonomike do të përmirësohen më 2012 me një nivel rritje 4 %.
Fondi Monetar Ndërkombëtar në një raport të bërë publik ditën e djeshme, e ka vlerësuar rritjen ekonomike të Shqipërisë si më të ulët se një vit më parë, por më të lartë se vendet fqinje. Kjo do të thotë se edhe pse këtë vit Shqipëria do të ketë një rritje ekonomike pozitive, ajo pritet të jetë më e ulët se sa në vitin 2010-të. Ky është parashikimi që bën Fondi Monetar Ndërkombëtar në raportin e fundit për ecurinë e Ekonomisë Botërore World Economic Outlook. Po sipas të njëjtit raport, rritja ekonomike e vendit tonë parashikohet të jetë këtë vit 3,7 për qind, ndërkohë që vitin e kaluar ky tregues ishte 4,2%. Vetëm në vitin 2012 pritet që ekonomia shqiptare ti përshpejtojë ritmet e rritjes ekonomike, ku parashikohet një nivel rritje prej 4%, ndërsa në vitin 2016, FMN-ja parashikon që rritja ekonomike e Shqipërisë të jetë 3,9%. Nga ana tjetër FMN thekson në raportin e saj se rritja ekonomike e Shqipërisë edhe pse e ulët, parashikohet të jetë më e lartë se ajo e vendeve fqinje. Por shpjegohet gjithashtu se ritmet e rritjes ndryshojnë nga ekonomitë e avancuara te ato në zhvillim. Në analizën e FMN-së konstatohet se rritja e ekonomisë botërore pritet të jetë këtë vit 4,5% dhe të ruhet ky nivel rritje edhe gjatë vitit të ardhshëm. Por ndërsa rimëkëmbja e ekonomisë globale po forcohet, ajo mbetet ende e pabalancuar dhe ekonomitë e zhvilluara duhet të procedojnë me rregullime fiskale, për një rimëkëmbje të mbështetur në baza, gjë që do të kërkojë rritjen e eksporteve nga vende si SHBA. Shefi i ekspertëve të FMN-së Oliver Blashard, gjatë prezantimit të raportit të FMN-së, ka theksuar se shqetësim janë rritja e çmimeve të mallrave të luksit, por për momentin nuk mendohet se kjo do të frenojë rimëkëmbjen ekonomike. Gjithashtu Blashard vuri në dukje një rënie të kërkesës për karburant, mungesën e indeksimit të pagave dhe pritshmërisë për ngadalësim të inflacionit në vendet e zhvilluara. Po sipas tij në pjesën më të madhe të ekonomive të zhvilluara prodhimi është ende larg potencialit, papunësia është e lartë dhe rritja e ulët ekonomike tregon se do të mbetet kështu edhe për vitet e ardhshme. Më tej në raportin e FMN-së thuhet rënia e tregut të pasurive të patundshme ka ndikuar në investimet e ulëta në tregun e strehimit në shumë vende, dhe se ekonomitë e avancuara kanë reaguar pjesërisht ndaj vërejtjeve të Fondit Monetar për më shumë transparencë rreth rrezikut të bilancit bankar dhe për të rishikuar rregulloret financiare dhe mbikëqyrjen. Në fund FMN konkludon se do të duhet shumë kohë që të fillojë të shihet suksesi i përpjekjeve për të përmirësuar ekonomitë e vendeve si Greqia, Irlanda dhe Portugalia. Por nga ana tjetër në raport thuhet me optimizëm se, kriza financiare që përfshiu globin nuk ka lënë pasoja të pariparueshme tek ekonomitë e tregut në zhvillim.
(www.tiranaobserver.com.al)

No comments:

Post a Comment