Financat, në kërkim të parave ekstra.

Ministria nis punën për hartimin e rishikimit të buxhetit. Problem, të ardhurat.

Ministria e Financave ka nisur punën për rishikimin e buxhetit të shtetit për vitin 2011. Sikurse është bërë traditë, në mes të vitit, qeveria ka ndryshuar buxhetin, me qëllim korrigjimin e investimeve në disa projekte, gjithnjë në varësi të bilancit të të ardhurave. “Faza e parë e përgatitjes nis dhe përfundon me hartimin e planifikimit buxhetor afatmesëm 2012-2014, me fokus të veçantë buxhetin e vitit të ardhshëm. Më pas radha i vjen rishikimit të tabelave të shpenzimeve për këtë vit. Gjithëccka varet nga ecuria e investimeve dhe arkëtimet, të cilat deri tani si tremujor kanë ecur pozitivisht”, sqaruan për “Shqip” burime zyrtare të Ministrisë së Financave.

Pavarësisht euforisë për një buxhet të dytë, të dhënat e deritanishme nuk paraqesin një situatë optimiste tek të ardhurat në buxhet, pa të cilat do të ishte e vështirë ndërmarrja e një skenari për shpenzime të larta në investime. Kujtojmë që vitin e kaluar, për shkak të të ardhurave të mjaftueshme, shkaktuar nga kriza, qeveria shqiptare u detyrua t’i shkurtonte shpenzimet në masën rreth 40 miliardë lekë. Situata aktuale paraqitet më ndryshe, por jo aq sa të planifikohen shtesa tek investimet apo rritje të konsiderueshme në paga dhe pensione.

Ministria e Financave thekson se projektbuxheti do t’i shkojë Parlamentit për miratim në muajin korrik. Kjo do të thotë se qeveria do ta ketë gati projektin që në muajin qershor. “Aktualisht po shikojmë të gjithë skenarët e mundshëm. Ecuria e investimeve rezulton pozitive, por buxheti suplementar do të japë një shtysë objekteve të rëndësisë të veçantë”, të bëjnë të ditur burime të ministrisë.

Tremujori i parë i vitit 2011 konfirmoi shpenzimet e larta që kreu qeveria në kuadër të fushatës elektorale. Krahasuar me një vit më parë, të dhënat e shpenzimeve paraqiten me rritje, kurse të ardhurat mbeten në vendnumëro, duke ndikuar negativisht në deficitin buxhetor. Për periudhën janar-mars 2011, investimet publike të kryera nga qeveria rezultojnë me rreth 20 miliardë lekë, ose 5 miliardë lekë më tepër se në vitin 2010, për të njëjtën periudhë. Po aq paraqitet rritja e investimeve për muajin mars krahasuar me muajin shkurt të këtij viti. Sa u takon shpenzimeve buxhetore në total, regjistrohet niveli i rreth 90 miliardë lekë, ose gati 10 miliardë lekë më shumë shpenzime më shumë të kryera në raport me tremujorin e 2010-s.

(gazeta-shqip.com)

No comments:

Post a Comment