Fillon fushata elektorale për zgjedhjet parlamentare

Nesër në Maqedoni zyrtarisht fillon fushata elektorale për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, që do të mbahen më 5 qershor.

Përfaqësues të ambasadave në Shkup si dhe institucionet relevante ndërkombëtare apelojnë për zgjedhje të lira dhe demokratike.

Për këtë qëllim liderët e partive politike kanë firmosur Kodeksin për zgjedhje korrekte i cili është hartuar nga Instituti Nacional Demokratik (IND), asociacioni qytetar "Most" dhe lobi femëror i Maqedonisë.

Partitë, koalicionet dhe kandidatët e pavarur, të cilët janë paraqitur për pjesëmarrje në zgjedhje, gjatë 20 ditëve të ardhshme do të mund t'i prezantojnë programet e tyre para elektoratit dhe të elaborojnë se pse e kërkojnë besimin nga qytetarët.

Fushata do të zgjasë deri më 3 qershor në orën 24:00. Dita para zgjedhjeve është heshtje zgjedhore. Vendvotimet më 5 qershor do të hapen prej orës 7 deri në orën 19.

Qytetarët do të mund të zgjedhin midis 18 listave të kandidatëve që i konfirmoi Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve.

Zgjedhjet do të realizohen sipas modelit proporcional në gjashtë njësi zgjedhore në territorin e Republikës së Maqedonisë dhe tre për qytetarët e Maqedonisë të cilët jetojnë jashtë shtetit.

Të drejtë vote kanë rreth 1,835 milionë qytetarë të Republikës së Maqedonisë të evidentuar në Listën e vetme zgjedhore.

(www.gazetaexpress.com)

No comments:

Post a Comment