Fillimi i dinastisë

Menaxheri i Manchester Cityt, Roberto Mancini beson se triumfi në FA Cup është vetëm fillimi, pasi goli nga Yaya Toure përfundoi pritjen 35-vjeçare për titull me fitore 1-0 ndaj Stoke Cityt.
“Vetëm mund të them se jam shumë i lumtur për të gjithë tifozët. Pas shumë viteve, ata e meritojnë të fitojnë këtë trofe. Nuk ndjej se kemi dominuar ndeshjen. Ne duhet të përmirësohemi, por jemi shumë të lumtur. Kemi krijuar një copë historie të Manchester Cityt. Ne fillojmë tani”, tha Mancini.

I pyetur nëse suksesi i tyre mbetet nën hijen e rivalit Manchester United, që pak para tyre festoi titullin e kampionit në Premierligë, Mancini tha: “Absolutisht jo. Në Angli janë tri gara, Premierliga, Carling Cup dhe FA Cup. Ne fituam FA Cup. Është trofe i rëndësishëm. Ne duhet të përmirësohemi më tepër dhe të bëjmë një hap tjetër (të fitojmë titullin), por ishte me rëndësi të fillojmë të fitojmë, sepse kur filloni të fitoni, më pas gjithçka do të jetë më e lehtë. Ne duam të mundohemi (të arrijmë Manchester Unitedin). Na pret Liga e Kampionëve që ishte objektivi ynë kryesor dhe fituam FA Cup. Kjo është shumë me rëndësi për këtë klub”, u shpreh ai.

Nëse festa do të vazhdojë për Cityn, Mancini, ekipi i të cilit takohet sërish me Stoke Cityn në Premierligë, të martën, tha: “Jo, futbollistët e dinë se ne kemi ndeshje tjetër të martën. Kemi edhe dy takime dhe do të mundohemi nëse është e mundur të përfundojmë në pozitën e tretë. Por, të gjithë në Manchester janë të lumtur. Vitin e ardhshëm do të shohim. Është me rëndësi të përfundojmë mirë këtë sezon. Do të mundohemi të luftojmë për kreun e tabelës, por Premierliga është shumë e vështirë, sepse Liverpool dhe Tottenham janë po ashtu skuadra të forta”.

Mancini veçoi golashënuesin Toure për lëvdata të posaçme. “Ne e kemi blerë për këtë. Ai është futbollist i shkëlqyeshëm. Ai shënoi në gjysmëfinale dhe finale. Gjatë gjithë sezonit, ka luajtur shumë mirë”, theksoi ish-trajneri i Interit për Touren e transferuar në verën e vitit të kaluar nga Barcelona.

Mancini po ashtu shprehu besimin e tij se kapiteni Carlos Tevez do të mbetet në klub, pavarësisht spekulimeve se do të largohet gjatë verës.

“Carlos ka kontratë pesëvjeçare me ne. Mendoj se do të mbetet. Nuk mendoj se dëshiron të largohet”, përfundoi Mancini. Toure ishte jashtëzakonisht i lumtur që goli i tij i solli ekipit trofeun e FA Cup. “Ëndrra është tani. Është fitore e shkëlqyeshme. Është e mrekullueshme për historinë e këtij klubi. Ne donim të fitonim diçka dhe të kualifikohemi për në Ligën e Kampionëve. Është e shkëlqyeshme”, deklaroi ai.
(gazetaexpress.com)

No comments:

Post a Comment