Femrat më të prekura nga sindroma Alzheimer. Humbja e kujtesës

Kur psikologët studiojnë kujtesën ata janë të interesuar për nivelin e ruajtjes së informacionit, që është thjesht sasia e informacionit që depozitohet me përpikmëri pasi është kryer procesi i të mësuarit. Ruajtja matet duke i kërkuar individit të përdore informacionin e mësuar më përpara. Harresa apo humbja e ruajtjes është pjesa e të mësuarit fillestar që nuk mund të riprodhohet e përdoret. Sipas ekspertëve dhe studiuesve kujtimet tona përbëhen nga tre lloje të dallueshme: informacioni personal, i përgjithshëm dhe shprehitë. Informacioni i përgjithshëm përfshin njohuri të përgjithshme që i kemi fituar jashtë përvojave të veçanta, si p.sh. qëndrimi ynë ndaj shkollës, njohuritë tona për muzikën apo fjalori ynë. Kurse informacioni i shprehive përfshin aftësitë e sjelljes dhe ato të njohjes si dhënia e biçikletës apo zgjidhja e një fjalëkryqi. Tre janë përbërësit bazë të sistemit tonë të kujtesës: kodimi, depozitimi dhe riprodhimi. Hapi i parë është kodimi, procesi i futjes se informacionit në sistemin tonë të kujtesës. Pasi informacioni është koduar, ose futur në kujtesën tonë, neve na duhet ta depozitojmë atë. Në qoftë se nuk e depozitojmë ajo harrohet.Hapi i dytë, depozitimi është proces që e mban informacionin e kujtesës për një farë kohe. Hapi i tretë në procesin e kujtesës është riprodhimi, nxjerrja e informacionit nga sistemi i kujtesës.
Kujtesa
Kujtesa ndahet në atë afatshkurtër dhe atë afatgjatë. Kujtesa afatshkurtër është vendi ku mbajmë informacionin për të cilin jemi të ndërgjegjshëm në një moment të caktuar. Kujtesa afatshkurtër përdoret kur duam të mbajmë mend diçka të momentit. Kujtesa afatshkurtër ka kapacitet shumë të kufizuar, kurse kohëzgjatja është rreth 30 sekonda para se ky informacion të humbasë.
Probleme me kujtesën
Me kalimin e moshës shfaqen simptoma të ndryshme të cilat tregojnë se një person ka probleme me kujtesën. Këto simptoma nuk janë të qarta sepse mund të duken krejt normale në disa situatat ose duke u bazuar në faktin se ka të bëjë mosha. Rreth 85 për qind e gjashtëdhjetëvjeçarëve në të gjithë botën vuan nga humbja e kujtesës. Kjo përbën një nivel epidemiologjik shumë të lartë. Ka raste kur sëmundja e kujtesës e njohur si sindroma Alzheimer lind edhe para moshës 65-vjeçare, por këto raste janë të rralla dhe karakterizohen nga histori të veçanta. Sistemet shëndetësore të vendeve perëndimore kanë humbje shumë të mëdha prej kësaj sëmundjeje. Ndërkohë që sipas specialistëve rreth moshës 40-vjeçare nisin të shfaqen simptomat e para të humbjes së kujtesës. Simptomat vijnë si rezultat i dëmtimit të qelizave nervore, të cilat ngadalësojnë përcjelljen e sinjalit për në tru dhe anasjelltas. Për këtë shkak këta persona harrojnë dhe me kalimin e kohës kjo simptomë bëhet edhe më e theksuar. Një simptomë tjetër është anomia, mosgjetja e emrave dhe fjalëve gjatë diskutimeve. Femrat janë më të prekura nga kjo sindromë dhe kohët e fundit vihet re një rritje e numrit të të prekurve nga kjo sëmundje.

Shenjat e sëmundjes sindromës së Alzheimerit

1- Memoria humbet çdo ditë e më shumë
2- Personi ka probleme gjuhësore (harron fjalët përkatëse dhe përdor të tjera në vend të falës së duhur)
3- Pjesën më të madhe të kohës është konfuz
4- Gjërat e reja i mban mend më shumë vështirësi
5- Mund të ketë konfiguracione (nuk di të bëjë llogaritë)
6- Nuk arrin të shkruajë normal
7- Mezi lexon
8- Ka vështirësi në veshjen e rrobave të trupit
9- Me kalimin e kohës pacienti humbet interesin në gjërat që e rrethojnë dhe bëhet tërësisht konfuz.
10- Mund të ketë dhe halucinacione, probleme me urinimin dhe jashtëqitjen
11 -Në fund fare pacienti humbet edhe kontrollin e trupit të vetë thuajse në çdo aspekt.

Perceptimi stadi i parë i përfytyrimit

Parafytyrimet janë figura të objekteve dhe të fenomeneve të cilat i kemi perceptuar dikur e që tani nuk veprojnë më në organet tona shqisore. Për të parafytyruar na duhet perceptimi, i cili është pasqyrimi i objekteve, sendeve dhe fenomeneve në tërësi në vetëdijen tonë. Ato nuk janë të qarta sikurse perceptimet por më të zbehta dhe me më pak detaje. Por ka edhe njerëz të rrallë që perceptojnë ndonjë objekt apo diçka tjetër dhe me të njëjtën gjallëri e parafytyrojnë sikur ta kishin ende përpara, e të tilla quhen figurat identike. Parafytyrimet janë të lidhura edhe me kujtesën. Për kujtesën mund të themi se për të mbajtur diçka në mend, në fillim ajo duhet të mësohet, kurse mënyra e vetme për ta provuar sesa është mësuar është matja e asaj që mbahet mend.

Harresa si proces i kundërt i kujtesës

Shumica e njerëzve mund të mbajnë në mend rreth 7 elemente informacioni për një kohë të shkurtër. Kurse në sajë të kujtesës afatgjatë, përmes përsëritjes përpunuese, njeriu është në gjendje të kodojë informacione në mënyrë që ai të hyjë në kujtesën afatgjatë. Kohëzgjatja e kujtesës afatgjatë është e përhershme. Metoda e ruajtjes së informacionit duhet të bëhet me përsëritjen dhe përpunimin e organizimit të informacionit. E kundërta e kujtesës është harresa. Në qoftë se njohuritë e mësuara nuk përsëriten vazhdimisht atëherë ato zbehen apo harrohen tërësisht. Por nëse ajo që është mësuar përsëritet vazhdimisht, harresa nuk shkaktohet. Te harresa ndodh inhibicionin retroaktiv ose parafrenimi i cili mund të jetë i madh ose i vogël, në varësi nga ngjashmëria.

Teoritë për harresën e vonuar

Teoria e fundit që do të trajtojmë thotë se, ndonjëherë harresa e vonuar represioni është një term i përdorur nga psikologët frojdianë për procesin e të harruarit të diçkaje që na sjell ankth. Megjithëse represioni është një problem personaliteti që mund të çojë edhe në humbje të kujtesës. Megjithëse dentisti juaj është gjithnjë i kujdesshëm mbushja e dhëmbëve jep një farë dhembjeje, gjë që ju shkakton ankthin. Psikologu frojdian mund të sugjerojë se, ju mund të angazhoheni kaq shumë në gjëra të tjera saqë harroni të shkoni te dentisti. Në këtë situatë, mund të jeni të motivuar për të harruar orarin e vizitës. Psikologët nuk bien dakord me asnjë teori të harresës. Kërkimet e fundit mbi kujtesën dhe proceset e saj po hedhin më shumë dritë mbi kujtesën dhe harresën.

Riprodhimi i informacionit dhe kujtesa

Shumica e psikologëve sot besojnë se kur informacioni kodohet ashtu siç duhet edhe kur depozitohet në kujtesën afatgjatë, atëherë ai bëhet pak a shumë i përhershëm. Arsyeja se pse ne nuk mund të riprodhojmë informacionin jo njëherë por njëherë tjetër është për shkak të ndërhyrjes së informacioneve të tjera që kemi përvetësuar. Ndërhyrja mund të shkaktohet nga informacione të përvetësuara më parë ose më pas informacionit, për të cilin bëhet fjalë. Ndërsa dekompozimi duket se është një problem depozitimi, ndërhyrja është problem i lidhur me riprodhimin. Në ndërhyrjen e informacioneve të mësuara më parë, informacioni i mësuar më përpara ndërhyn në riprodhimin e informacionit që është mësuar më vonë. E njëjta gjë ndodh edhe kur mëson një gjuhë të dytë ose të tretë të huaj.
(www.tiranaobserver.com.al)

No comments:

Post a Comment