Fëmijët shqiptarë kalojnë tri orë në ditë duke parë televizor.

Instituti i Shëndetit Publik realizon studimin në 24 rrjete të vendit.
Bota e televizionit, e internetit, por edhe lojërat elektronike tanimë janë bërë të parezistueshme në radhët e fëmijëve dhe adoleshentëve. Rekordin për tërheqjen ndaj këtij grupi shoqëror e mban televizioni dhe programet e tij. Dëshira e nxënësve dhe adoleshentët për të shpenzuar kohën duke parë televizion me orare të zgjatura nuk përkrahet nga psikologët dhe ekspertët e edukimit. Të paktën 58% e fëmijëve nën moshën 6 vjeç kalojnë më shumë se 3 orë para televizorit. Ky është një nga përfundimet e ISHP-së, pas një ekspertize periodike të kryer në të gjithë vendin. Specialistët e Institutit të Shëndetit Publik kanë kryer një studim në 24 rrethe të vendit, ku ka rezultuar se këta fëmijë janë më pak socialë dhe e kanë të vështirë të krijojnë miqësi me bashkëmoshatarët e tyre, duke qëndruar brenda një bote të mbyllur. Ata që duhet të tregojnë kujdes janë prindërit, të cilët në jo pak raste lënë për një kohë të gjatë fëmijët para ekranit pa i kontrolluar. Psikologët mendojnë se fëmijët nuk duhet të kenë televizor në dhomat e tyre, pasi kjo i përvetëson kohën e lojës. “Fëmijët që e kalojnë kohën para televizorit kanë më shumë problem me komunikimin. Prindërit duhet të jenë të pranishëm gjatë kohës që ata shohin televizor, për t’i treguar se ajo që ndodh në ekran nuk është jeta reale”, shpjegon Aulona Zotaj, specialiste. Edhe adoleshentët kalojnë një kohë të gjatë para ekranit dhe në internet, gjë që veç dëmtimit të syve, i shkëput edhe nga libri.

Nga ana tjetër, fëmijët duhet të lejohen të hanë pica duke parë televizor. Këtë herë sugjerimi vjen nga ekspertët ndërkombëtarë. Këshillën në sirtar e dha një ekspert britanik, i cili mendon se prindërit mundohen shumë për të rritur sa më mirë fëmijët e tyre.

Dr. Bryan Caplan mendon se leksionet e muzikës, orët e sportit dhe lojërat edukuese nuk bëjnë fare ndryshim kur fëmija rritet. Akademiku thekson se prindërit duhet ta marrin më shtruar dhe nuk duhet të kontrollojnë çdo aspekt të jetës së fëmijëve. “Mos numëroni orët e qëndrimit të fëmijëve tuaj para TV. Mos i detyroni ata të bëjnë aktivitete që nuk i pëlqejnë. Pranoni që jeta e fëmijëve tuaj është e ndërtuar në bazë të gjeneve dhe zgjedhjeve të tyre dhe jo nga angazhimi juaj për t’i rritur ata sa më mirë”, thekson Caplan.

(gazeta-shqip.com)

No comments:

Post a Comment