Eurovizion, Aurela shkëlqen në Düsseldorf

Eurovizion, Aurela  shkëlqen në  DüsseldorfDUSSELDORF-Këngëtarja vlonjate Aurela Gaçe ka prezantuar mbrëmjen e së enjtes për herë të dytë këngën “Feel the pasion” në skenën e “Düsseldorf Arena”. E veshur me një fustan rozë më formën e shqiponjës, (stiluar nga Mirela Nurce) simbol në flamurin shqiptar, skena gjermane jehoi nga zëri i Aurelës, zë që u vlerësua shumë nga mediat gjermane, të cilat nuk ngurruan që pas performancës ta marrin në intervista ku është pyetur gjatë për veshjen dhe kërcimin gati rock në skenë.


Edhe pse u fol gjatë në media se do të kishte ndryshime të mëdha, Këngëtarja i ka sfiduar këto lajme duke ruajtur look-un e saj të kohëve të fundit, flokët në ngjyrë të kuqe dhe fustan gati te njejte me ate te klipit qe eshte publikuar ne stacionet muzikore. Ndërkohë mesohet se gjate debutimit të saj zyrtar në “Eurovision Song Contest 2011”, Aurela Gaçe do të sjellë po të njëjtin fustan ngjyrë rozë që veshi mbrëmë por me disa detaje plus per te cilat po kujtdeset stilistja, Mirela Nurce.
Në performancën me këngën “Feel the pasion” shqiptarja shoqërohet nga tre backvokalistë, të sugjeruar nga këngëtarja tjetër e njohur shqiptare, Eda Zari që jeton aktualisht në Düsseldorf . Gjithashtu në skenë këngëtarja do të shoqerohet me kitarë nga i mirënjohuri Bledar Sejko kurse në bateri do të jetë Emiljano Dhimo.

Me dy debutimet tani ajo është gati, Aurela do ngjitet në skenë në gjysmëfinalen e parë të garës së këngës evropiane që do të mbahet më 10 maj në Gjermani, ndërkohë që gjysmëfinalja e dytë do të zhvillohet më 12 maj, ndërsa finalja e madhe më 14 të këtij muaji. Këngëtarja labe do të jetë e treta konkurrente në radhë. Shqipëria do të konkurrojë me këngët e vendeve si: Greqia, Finlanda, Zvicra, Norvegjia, Gjeorgjia, Rusia, Polonia, Serbia, Kroacia, Hungaria, Portugalia etj. Nga 43 shtete do të përzgjidhen vetëm 25 për natën finale të datës 14 maj, të cilat do të konkurrojnë për çmimin e parë. Votimi do të kryhet nga njerëzit që jetojnë në shtetet pjesëmarrëse të cilët mund të votojnë me telefonata apo mesazhe. Çdo shtet që voton zgjedh 10 shtetet më të pëlqyera, të cilat i voton me 1-7 pikë, 8, 10 dhe 12 pikë. Deri më tani, nga kritika Aurela Gaçe ka marrë vlerësime dhe konsiderata të larta, por pritet të shihet si do të votohet më tej. Vetë këngëtarja është shprehur se është munduar që bashkë me stafin përkatës t’i bënte një promovim sa më të mirë këngës, në disa shtete të ndryshme të Evropës. “Feel the passion”, e kompozuar nga Shpëtim Saraçi, me tekst të Sokol Marsit, është një këngë që flet për pasionin për muzikën dhe me vargjet e së cilës Aurela është identifikuar dhe në look.


(ballkanweb.com)

No comments:

Post a Comment