Efekti “Bin Laden”, nafta 109 USD fuçia. Në vend, çmimet statike

Bursat kanë rreth një javë që po jetojnë nën një efekt të ri, që ka më pak presion mbi çmimet. Ajo që ka ndodhur në bursën e naftës nga ekspertët ndërkombëtarë po quhet si efekti “Bin Laden” dhe lidhet me uljen e çmimeve të naftës. Në kohën kur në bursën e Londrës një fuçi naftë kapi pikun e 130 dollarëve për fuçi dhe kur frika po mbështetej nga zëra që një fuçi mund të arrinte edhe 150 dollarë, ndodhi edhe mrekullia. Nafta u ul menjëherë në nivelin 120 dollarë, më pas 113 dollarë dhe dje ajo u tregtua me 109 dollarë. Për ekspertët ndërkombëtarë, më datë 1 maj bota u zgjua me një regjim të ri të çmimeve të naftës, që pas lajmit për vdekjen e Bin Ladenit. Po cili në fakt është efekti i kësaj ngjarjeje në tregjet ndërkombëtare dhe në bursa? Për shumë prej ekspertëve, në botë nuk ndodhi asgjë për të rënë çmimi i naftës kaq shumë brenda një jave. “Asgjë fondamentale nuk ndodhi mes së premtes dhe së hënës për të justifikuar një rënie prej 3 dollarësh”, shprehet Stefen Shork, publikues i një prej raporteve më të rëndësishme të energjisë Shork report. “Kjo thjesht tregon fuqinë e spekulimeve në këtë treg”, shprehet ai. Por duket se lavdia e çmimeve të ulëta do të zgjasë pak, sepse me rimëkëmbjen e ekonomisë amerikane dhe me rritjen e kërkesës për naftë si nga kjo e fundit ashtu dhe nga vendet e Azisë, rritja do të rikthehet edhe një herë. Të prekur nga rritja në këto tregje janë shumica e vendeve importuese dhe një prej tyre është edhe Shqipëria. Për vendin tonë çmimi mbi 170 lekë për litër për naftën tashmë është statik dhe i palëvizshme duke u quajtur një “standard” i ri çmimi. Çmimet në përgjithësi duket të kenë rënë dhe nuk janë më në nivelet 180 lekë për litër që arritën më herët dhe që shkaktuan edhe rënien e kërkesës në vend sipas konfirmimeve të importuesve.
130 dollare fuçia u shit nafta në nivelin e saj rekord në bursën e Londrës, sipas së cilës e bën importin edhe Shqipëria. Kjo bursë pësoi një rritje ekstreme pas trazirave në Siri, Jordani, Egjipt.

(panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment