Edi Rama: Tiranën nuk e luan topi!

"Kurrë më parë nuk janë shpenzuar kaq shumë para në një palë zgjedhje.. Në Tiranë rezultati është deformuar shumë rëndë, do të duhet ca kohë për të analizuar gjithë sa ndodhi. Ata që kërkuan prej meje në mënyrë të përsëritur pranimin e rezultatit duhet ta bëjnë këtë për veten e tyre sot me kurajo..."

Në një intervistë dhënë dje kryeredaktorit të "Shekullit", Adrian Thano, lideri i opozitës, Edi Rama, thotë se "do të duhet ca kohë, për të analizuar e reflektuar gjithë sa ndodhi në zgjedhjet për Tiranën, ku padyshim rezultati është deformuar rëndë".


I pyetur lidhur me qëndrimet e ndryshuara të PD-së, për sa i përket procesit të numërimit të votës në Tiranë, Rama tha se nuk pret që "fitoren t'ia konfirmojë Saliu".


Lidhur me tensionin e ri të krijuar orët e fundit nga këmbëngulja e Berishës për të mos njohur rezultatin e numërimit të votave në kryeqytet, Rama thotë se ky shqetësim ka si shkak degjenerimin e institucioneve. "Por nuk besoj se gjenden të verbër të atillë që të marrin përsipër ta përmbysin në tavolinë këtë fitore legjitime pa marrë parasysh pasojat e rënda të një marrëzie të këtij lloji", - thotë Rama, në këtë intervistë për "Shekullin".


Zoti Rama, për ditë të tëra Shqipëria mbajti frymën pezull dhe shumë njerëz janë ende të habitur, si u kthye beteja për Tiranën në një betejë që u vendos në kutinë e fundit?


Do të duhet ca kohë, për të analizuar e reflektuar gjithë sa ndodhi në zgjedhjet për Tiranën, ku padyshim rezultati është deformuar rëndë, shumë rëndë, nga një sërë faktorësh.


Sot për sot ka rëndësi thjesht dhe vetëm fakti që, falë masës së pazakontë të qytetarëve që dolën në votim për mua, u zmbraps një stërfuqi aleancash të pa ndodhura ndonjëherë dhe parash të pashpenzuara kurrë më parë në ndonjë palë zgjedhje.


Në fjalën tuaj para mbështetësve në përfundim të numërimit në Njësinë 5, ju përmendët për veten fjalën "reflektim". Çfarë keni parasysh ju me këtë?


Unë nuk e di sa dhe si do të mundem t'ua shpërblej me punën time atyre që me votë shpëtuan Tiranën tonë nga një rezultat siç thashë i deformuar rëndë që nuk prezanton vullnetin e kryeqytetasve. Por unë di me siguri që eksperienca e këtyre zgjedhjeve, si edhe fitorja me vetëm 10 vota janë për mua një thesar mësimesh të vyera për t'i bërë shumë më mirë se deri më sot detyrat e mia, qoftë në PS, qoftë në krye të Bashkisë.


Z.Rama, çfarë keni ndjerë personalisht gjatë atij numërimi në TV?


Nuk e humba për asnjë moment besimin... Nuk humba besimin se atë që s'e bënim dot ne për të zmbrapsur stërfuqinë që bëri ç'deshi me pushtetin e frikës, parasë, medias pro-qeveritare, manipulimit, - mund ta bënte në fund populli - zot me votën e vet masive. E besova këtë gjë deri në fund. Dhe diçka fantastike, sa e kuptueshme aq edhe e pashpjegueshme me fjalë, ndodhi. Një magji e demokracisë!


Si Berisha, si kandidati i tij në Tiranë, Basha, gjatë gjithë procesit të numërimit, bënë thirrje të përsëritura që humbësi sipas tyre të pranonte rezultatin e numërimit, madje, Berisha e quajti procesin e numërimit "më të saktin në botë". Dukeshin çuditërisht të sigurtë në fitore.. Por sot ata flasin sot për rinumërim dhe hapje kutish. Ju ende nuk i keni dhënë një përgjigje të drejtpërdrejtë qëndrimeve të tyre dhe këtij ndryshimi qëndrimesh sot...


Unë jam i lumtur për fitoren historike të Partisë Socialiste dhe "Aleancës për të Ardhmen" në zgjedhjet e 8 majit. Unë nuk pres ta njohë Saliu këtë fitore dhe as e bën më pak të kënaqshme për ne, fakti që Saliu nuk e njeh.


Edhe për Tiranën?


Sa për Tiranën, fitorja është e jona, s'e luan topi. E panë miliona sy drejtpërdrejtë përmes ekraneve. Vota u numërua botërisht..


Por ka një tension të ri tashmë. Ka një shqetësim të madh te votuesit e majtë...


Shqetësimi vjen nga degjenerimi i institucioneve. Por, pavarësisht degjenerimit të institucioneve që kemi sot, nuk besoj se gjenden të verbër të atillë që të marrin përsipër ta përmbysin në tavolinë këtë fitore legjitime pa marrë parasysh pasojat e rënda të një marrëzie të këtij lloji.


Çfarë do të ndodhte, sipas jush, nëse ndodh një gjë e tillë?


Nuk e uroj kurrë, për të mirën e të gjithëve. Madje, s'është nevoja të merremi më se çfarë mund të ndodhte në rast të një dhunimi kaq të papërfytyrueshëm të zgjedhjeve. Këtë besoj e kanë të qartë të gjithë, përfshirë edhe Saliun! Shqipëria nuk ka minuta dhe as shanse të tjera për të humbur.


Siç e përmenda në deklaratën time publike sot, e ardhmja jo e shkuara, e nesërmja jo e djeshmja, çfarë na bashkon jo çfarë na ndan, mirëkuptimi jo sherri, vendi ynë i përbashkët jo interesat e sinorëve të politikës së vjetër, duhet të ndriçojnë sot arsyen e kujtdo që merret me politikë.


Shqipëria e shqiptarët meritojnë më shumë, shumë më shumë, sesa një proces zgjedhor si ky që së fundmi ka hyrë në agoninë artificiale ku e ka futur pushteti prej vështirësisë së kuptueshme për të gëlltitur humbjen përvëluese.


* * * * * * * * * * * * * * * * * *


"Kurrë, askush, nuk mund ta përmbysë rezultatin në tavolinë, përmes rrugësh qorre që vetëm do të fusnin vendin në një tatëpjetë shumë të rrezikshme", - tha dje kreu i opozitës, Edi Rama, në ditën e dytë të kontestimeve ndaj rezultatit të në Tiranë.


Partia Demokratike përmes kryetarit të saj Berisha dhe ish-kandidatit për Tiranën, Basha, nuk e ka pranuar humbjen në Tiranë pas përfundimit të procesit të numërimit, duke e futur gjithë vendin në një tension të dytë, pas atij që shkaktoi numërimi i zvarritur një javë të tërë i Njësisë 5.


"Ata që kërkuan prej meje në mënyrë të përsëritur pranimin e rezultatit duhet ta bëjnë këtë me kurajo, - tha Rama duke shtuar se "Shqipëria e shqiptarët meritojnë më shumë. Ne u premtojmë zgjedhësve tanë që do të bëjmë gjithçka, është në dorën tonë për të mos e lejuar përsëritjen e kësaj torture të padenjë për një shoqëri të këtij shekulli". Më poshtë, i plotë, qëndrimi i liderit të opozitës.


Nga Edi Rama


8 maji u provua si dita e shprehjes së vullnetit të një numri qytetarësh që asnjëherë më parë s'kishin marrë pjesë në një numër kaq të madh në një zgjedhje vendore. Sepse zgjedhjet e 8 majit kishin një përmbajtje të qartë politike dhe përveç zgjedhjes të përfaqësuesve vendorë qytetarët u angazhuan në përcaktimin e një drejtimi për vetë politikën.


Ne i fituam këto zgjedhje pas një beteje thellësisht të pabarabartë ku fuqia e popullit u provua të ishte më e madhe se stërfuqia e pushtetit të frikës, parasë, medias pro-qeveritare dhe një sistemi të tërë të deformimesh të votës. Kjo fitore është për ne një fitore historike, e cila, pikërisht, sepse është e jashtëzakonshme duhet të na shërbejë jo vetëm si burim frymëzimi, por edhe si burim reflektimi për mënyrën sesi do ta përshkojmë
rrugën e hapur të së ardhmes.




Zgjedhësit e 8 majit na kanë ngarkuar të qeverisim në nivelin vendor shumicën dërrmuese të shqiptarëve, ndërkohë që kundërshtarët tanë do të qeverisin pakicën, por njësoj të rëndësishme. Unë premtoj se këtë mandat të fortë ne do ta përdorim me të gjithë forcën e pasionit tonë politik për të përmirësuar jetën e njerëzve të zakonshëm pa dallim, duke kërkuar në radhë të parë nga vetja e pastaj nga kundërshtarët një cilësi të re të politikbërjes.


Ne do të punojmë me mish e me shpirt që asnjë votues i yni të mos zhgënjehet dhe asnjë qytetar që nuk na ka votuar të mos braktiset. Për ne s'ka qytetarë rozë e qytetarë blu, por ka vetëm qytetarë të barabartë në liritë e të drejtat e tyre kushtetuese ligjore, shoqërore. Pakti ynë qytetar është një pakt për të gjithë e me të gjithë qytetarët pa dallim, pavarësisht sesi quhen, nga vijnë, ku besojnë, çfarë mendojnë, si shprehen apo për kë votojnë.


Çdo pikë e paktit tonë qytetar është sot një detyrë shtëpie për çdo të zgjedhur të Aleancës për të Ardhmen në 8 maj. Si dhe një angazhim i patjetërsueshëm, prioritar, i politikës së Partisë Socialiste në parlament, në këshillat vendorë dhe kudo ku do debatohet për jetën e njerëzve të zakonshëm.


Është e padiskutueshme se një prej vlerave të mëdha të fitores sonë është gjeografia e saj. Nga Tropoja në Konispol ne kemi marrë vota komunitetesh që sot janë në rrugën tonë të përbashkët për të shpëtuar prej kthetrave të varfërisë, papunësisë, padrejtësisë, pasigurisë, paligjshmërisë.


Politika e bllokimeve, zvarritjeve, shkeljeve të autonomisë vendore është ndëshkuar pa asnjë mëdyshje nga qytetarët, por nga ana tjetër qytetarët kanë dhënë mesazhin e qartë të nevojës për mirëkuptim në funksion të interesave të tyre të përbashkëta dhe ne jemi gati ta kthejmë këtë mesazh në një vijë të qartë të sjelljes sonë politike me kundërshtarët.


Qytetarët e thanë fjalën e tyre, Shqipëria nuk ka minuta dhe as shanse të tjera për të humbur. Çfarë ka shkuar në këtë proces zgjedhor mbetet objekt debati e reflektimi për secilin. Çfarë ka mbetur është domosdoshmëria për t'i dhënë fund një zvarritje skandaloze të procesit këtu në Tiranë, e cila sigurisht që kurrë nuk mund ta ndryshojë dot rezultatin e parë nga të gjithë, po vetëm po dëmton e mund të dëmtojë edhe më shumë vetë procesin.


Ata që kërkuan prej meje në mënyrë të përsëritur pranimin e rezultatit duhet ta bëjnë këtë me kurajo. Pas një beteje që ka mbaruar në fushën e vëzhguar nga miliona sy shqiptarësh dhe nga të gjithë sytë e përqendruar të komunitetit ndërkombëtar. Kurrë, askush, nuk mund ta përmbysë rezultatin në tavolinë, përmes rrugësh qorre që vetëm do
të fusnin vendin në një situatë shumë të rrezikshme.


E ardhmja, jo e shkuara, e nesërmja, jo e djeshmja, çfarë na bashkon, jo çfarë na ndan, mirëkuptimi jo sherri, vendi ynë i përbashkët, jo sinoret e politikës së vjetër, duhet të ndriçojnë sot arsyen e kujtdo që merret me politikë. Shqipëria e shqiptarët meritojnë më shumë, shumë më shumë sesa një proces zgjedhor si ky që ka hyrë në agoninë artificiale të interesave të verbra politike.


Ne u premtojmë zgjedhësve tanë që do të bëjmë gjithçka është në dorën tonë për të mos e lejuar përsëritjen e kësaj torture të padenjë për një shoqëri të këtij shekulli. Tanimë jemi gati të ofrojmë pa asnjë rezervë kontributin tonë për ta kthyer këtë faqe
të shëmtuar, përmes një reforme të thellë që do të garantojë zgjedhje përfundimisht të lira dhe të ndershme.


Fitorja e zgjedhjeve aq më tepër një fitore e madhe si kjo e jona më 8 maj, duhet kuptuat vetëm si një shumëfishim përgjegjësish dhe angazhimesh. Ne jemi gati t'i mbajmë të gjitha përgjegjësitë dhe t'i përmbushim të gjitha angazhimet me të gjithë energjinë e jashtëzakonshme që na ka dhënë mbështetja spektakolare e shqiptarëve nga veriu në
jug dhe të gjitha idetë dhe planet për të ardhmen për çdo komunitet që do të qeverisim sot e për të gjithë Shqipërinë që pa asnjë dyshim do të qeverisim nesër.
(shekulli.com.al)

No comments:

Post a Comment