E punëson si “bebysiter”, i zhvat 73 milionë lekë

Prokuroria e Tiranës përfundon hetimet për Jolanda Pajën, grabiti banesën e biznesmenit F.Xh
E punëson si “bebister”, i zhvat biznesmenit 73 milionë të vjetra. Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet për Jolanda Pajën, e cila akuzohet për vjedhje me pasoja të rënda në bashkëpunim. E pandehura është denoncuar nga “pronari” dhe është arrestuar më 22 tetor të vitit të kaluar dhe gjatë kësaj kohe është hetuar për disa episode grabitjesh. Prokurori Ervin Karanxha ka kryer një sërë verifikimesh dhe ka dokumentuar plotësisht grabitjen e 73 milionë lekëve, pasi bashkëshorti i Jolandës kishte blerë një automjet që kapte vlerën e 16 milionë lekëve të reja.

Ndërkohë, e pandehura ka arritur që me paratë e grabitura të shlyejë edhe një kredi që kishte marrë në një bankë. Nga marrja në pyetje e të dëmtuarit F.Xh ka rezultuar se me paratë që i janë zhvatur do të kuronte vjehrrën në Austri. Prokuroria e Tiranës në përfundim të hetimeve për gruan 36-vjeçare ka sqaruar gjithçka ka ndodhur. Sipas akuzës, i dëmtuari F.Xh. ka denoncuar në polici se 35-vjeçarja Jolanda Paja, të cilën e kishte punësuar si kujdestare për fëmijën, ka arritur të zhvasë në mënyrë të fshehtë shumën prej 73 milionë lekësh të vjetra. Kallëzuesi ka pohuar se në një dollap në banesën e tij në rrugën “Sami Frashëri” kishte vendosur një shumë prej 90 milionë lekësh të vjetra të marra borxh nga i vëllai me qëllimin për të kuruar vjehrrën me anë të kimioterapisë, për shkak të sëmundjes së kancerit. Por kur biznesmeni ka shkuar për të marrë shumën e parave prej 90 milionë lekësh për ta kthyer në euro ka vënë re se paratë mungonin.

Nga verifikimi që ka bërë biznesmeni i dëmtuar ka rezultuar se aty ndodheshin vetëm 17 milionë lekë të vjetra, ndërsa mungonte pjesa tjetër. Sipas tij, përveç bashkëshortes së tij, çelësin e banesës e dispononte vetëm Jolanda Paja, e cila gëzonte besim. Nisur nga ky kallëzim, policia gjyqësore ka marrë në pyetje Jolanda Pajën, e cila ka pohuar se në muajin qershor 2010 ka vjedhur nga banesa e kallëzuesit shumën prej 5 milionë lekësh të vjetra, ndërsa ka mohuar të kishte marrë aq sa ka pretenduar biznesmeni. Për shumën 5 milionë lekë të vjetra, ajo ka pohuar se me to ka shlyer një kredi bankare, një borxh të vjetër te kunati i saj dhe pjesën tjetër e ka përdorur për nevojat e saj personale. Në këto kushte, më 22 tetor, policia ka bërë arrestimin në flagrancë të 35-vjeçares, duke pretenduar se ajo ka vjedhur gjithë shumën e pretenduar nga biznesmeni i dëmtuar.

(gazeta-shqip.com)

No comments:

Post a Comment