Dorëzohet për gjykim dosja e trafikut të pistoletave

Prokuroria e Krimeve të Rënda përfundoi hetimet dhe dorëzoi për gjykim dosjen penale ndaj pesë të akuzuarve për trafik pistoletash nga Shqipëria drejt Greqisë

Gjermanja Aliki Buratzi, Sokol Lepuri, Sefer Lleshi, Altin Kaca dhe Elidon Kerpi do të përgjigjen për akuzat e trafikut të armëve dhe municionit, si dhe moskallëzimit të krimit. Rrjeti i trafikut u zbulua kur në pikën e kalimit kufitar në Qafë-Botë të Sarandës u ndalua 43-vjeçarja Buratzi, e cila në trupin e saj kishte fshehur katër pistoleta tip “Zastava” prodhim jugosllav, të cilat do t’i trafikonte drejt Greqisë për llogari të të dashurit të saj, Sokol Lepuri.

“Pendesa” e gruas bëri që prokuroria të hidhte dritë mbi të gjithë linjën e trafikut dhe në pranga përfunduan gjithë të dyshuarit. Dosja penale ndaj të pandehurve është hedhur në short dhe gjykatësja Iliriana Olldashi do të jetë kryesuese e pesëshesh gjyqësore që do ta shqyrtojë atë.

Pak ditë më parë prokuroria e Krimeve të Rënda u ka dhënë fund hetimeve për greko-gjermanen Aliki Buratzi dhe katër bashkëpunëtorët e saj në rrjetin e trafikut. Nën akuzë janë vënë pesë persona, mes tyre dhe një greko-gjermane. Prokurorët hetuan për gjashtë muaj me radhë për të zbuluar linjën e trafikut. Nga hetimet rezultoi se Aliki Buratzi, ishte nga Lajpcigu i Gjermanisë.

Gruaja e cila jetonte në Greqi, tre muaj para se të ndalohej nga policia ishte njohur me emigrantin shqiptar, Sokol Lepuri, me të cilin kishte krijuar një lidhje intime. Të dy së bashku kishin mbërritur në Shqipëri dhe Sokol Lepuri kishte rënë në kontakt me dy të njohurit e tij, Altin Kaca e Sefer Lleshi. Në dosjen e prokurorisë thuhet se i pandehuri Lepuri u kërkon miqve të tij që t’i gjenin katër pistoleta, të cilat do t’i dërgonte në Greqi dhe do të përfitonte një dorë të mirë parash. Nuk vonon dhe djemtë ia gjejnë pistoletat dhe ia dorëzojnë ato Lepurit. I pranishëm në momentin e dorëzimit ka qenë dhe Elidon Kërpi, i cili duket se do të përgjigjet vetëm për akuzën e “moskallëzimit të krimit”.

Me të shtënë në duar pistoletat, Sokol Lepuri i ka kërkuar të dashurës të niset drejt Greqisë, për t’i dërguar ato në destinacion. Pistoletat do t’i dorëzoheshin një shtetasi shqiptar, të cilit prokuroria ka mundur t’i zbulojë vetëm nofkën dhe jo identitetin. Kështu, sipas porosisë së të dashurit, 43-vjeçarja i ka fshehur mirë në trupin e saj dhe ka mbërritur me autobus në pikën e kalimit kufitar të Qafë-Botës në Sarandë ku është kapur. Në momentin kur gruaja ka tentuar të kalojë kufirin në këmbë, policia ka dyshuar dhe ka ushtruar një kontroll fizik ndaj saj, duke i zbuluar kështu dhe katër pistoletat.


/Telegrafi/

No comments:

Post a Comment