Diploma e maturës, jo vetëm shqip, por edhe anglisht

Dokument dygjuhësh, për nxënësit që dëshirojnë të ndjekin arsimin e lartë jashtë shtetit.

Zyrtarisht sqarohet se formati i diplomës së maturës, e cila pritet të dalë sivjet për herë të parë, është gati, por një tjetër risi që duhet theksuar është se ajo nuk do të jetë vetëm në gjuhën shqipe, por edhe në gjuhën angleze.

Burime zyrtare pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës theksojnë se ky vendim i ri do t’u vijë në ndihmë të gjithë maturantëve, që dëshirojnë të ndjekin arsimin e lartë jashtë kufijve të Shqipërisë. Diploma në përmbajtje të saj do të ketë gjeneralitetet përkatëse të nxënësit dhe konfirmimin që ka përfunduar studimet e mesme në shkollën përkatëse.

Ndërkohë, bashkangjitur me diplomën, do të jetë edhe suplementi shoqërues, në të cilin do të evidentohen të gjitha rezultatet në nota, të arritura nga maturanti gjatë katër apo pesë viteve të shkollimit për të gjitha lëndët që ka studiuar.

Po ashtu mësohet se në “suplementin” apo listën e notave do të shënohen edhe rezultatet e arritura në katër provimet e detyruara të maturës 2011. Diploma, sikundër edhe certifikata, do të kenë elemente të rrepta sigurie, në mënyrë që të jenë të pafalsifikueshme. Sipas Ministrisë së Arsimit, kjo diplomë do të lëshohet vetëm në rastet kur maturantët do të klasifikohen kalues në të katër provimet që do të jepen në muajin qershor, ku përfshihen dy lëndët e detyruara dhe ato me zgjedhje.

Marrja e kësaj diplome do të jetë kushti bazë që do të lejojë maturantin t’i nënshtrohet garës për pranimet në universitetet për vitin e ardhshëm akademik. Në rregulloren e re të Maturës Shtetërore të këtij viti janë hequr sezonet e vjeshtës, për pasojë nxënësi duhet t’i nënshtrohet në kohë të gjitha testeve, me qëllim që të mos humbasë të drejtën për të marrë pjesë në provimet e maturës, çka do ta penalizonte atë jo pak, por me humbjen e një viti shkollor.

Aktualisht mësohet se këtë javë pritet që të mbyllet edhe viti shkollor, ndërsa më 26 maj nis sezoni i provimeve të Maturës Shtetërore, periudhë që përfundon më 30 qershor të këtij viti.

(gazeta-shqip.com)

No comments:

Post a Comment