Portugalia, vendi i 5-të me dy skuadra në një finale të kupave të Europës


Deri më sot, Europa ishte mësuar me finale të ardhura nga Spanja, Anglia, Italia apo Gjermania.
Katër shtetet e fuqishme të futbollit ishin të vetmit që kishin prodhuar ndeshje fundore me dy ekipe të të njëjtit vend, të të njëjtës ngjyrë, por në këtë listë hyri vrullshëm dhe pa lëkundje edhe Portugalia.


Porto dhe Sporting i Bragës do të jenë finalistet që do të diskutojnë fitoren e Ligës së Europës, dikur Kupa UEFA, në ndeshjen që do të luhet në stadiumin e Dublinit më 18 maj. Skuadra e trajnerit Vijas Boas arrin këtë kulm pasi eleminoi spanjollët e Vijarealit, ndërsa Braga pasi fitoi duelin me të madhen portugeze, Benfika, një trimëri e pabesueshme për këtë emër modest.

Do të jetë hera e 14-të që një finale e kupave europiane do të luhet nga dy skuadra të të njëjtit shtet dhe historia filloi më 1962 në Kupën e Panaireve, ajo që më vonë u quajt Kupa UEFA dhe tani Liga e Europës. Ishin Valencia dhe Barcelona, dy spanjolle, që krijuan precedentin dhe e para fitoi pas dy ndeshjeve, sidomos pas një suksesi të madh 6-2 në të parën. Spanja ka gjithsej 5 finale të tilla ku Valencia ka qenë 3 herë, ndërsa Barcelona e Saragoza nga dy. Spanja ka një finale të tillë në Champions, atë mes Realit të Madridit e Valencias, fituar 3-0 nga madrilenët në kohën kur në fushë ishte dyshja e sulmit Raul Gonzales e Fernando Morientes, të cilët shënuan secili nga një gol.

Anglia ka kontributin e saj me finalen e parë më 1972, atë në Kupën UEFA mes Uolvesit dhe Totenhamit fituar nga kjo e dyta pas dy ndeshjeve, për të arritur deri tek finalja e madhe e Ligës së Kampionëve më 2008 në Moskë, fituar nga Mançester Junajtid ndaj Çelsit pasi u gjuajtën penalltitë, ndërsa Kristiano Ronaldo e Frenk Lampard kishin shënuar gjatë lojës.

Italia nuk mund të mungonte në këtë listë ku spikat finalja e Champions-it në “Old Trafford”, mes Milanit dhe Juventusit për të cilën sërish u deshën penalltitë pasi koha e rregullt dhe shtesat përfunduan pa gola. Italia ka edhe 4 finale të Kupës UEFA në vitet 1990-1998. Juventus është skuadra me më shumë finale të tilla, plot 3.

Së fundi Gjermania, pasi edhe Bundesliga ka dhënë finale europiane. Më 1980, Ajntrahti i Frankfurtit fitoi Kupën UEFA pasi mundi Borusian e Myunshengladbahut në dy përballje, madje pasi edhe gjysmëfinalet kishin qenë tërësisht gjermane. Tashmë pritet 18 maji për të parë përfundimin e finales së parë krejtësisht portugeze në histori. Vendi i vogël luzitan me të vërtetë mund të ndihet krenar që bëhet i pari, pas 4 fuqive të mëdha europiane që zotëron plotësisht një finale kontinentale.

(www.abcnews.al/lajme/sport/3/5643)

No comments:

Post a Comment