Deputetët e PS: Rikthehemi nesër, të gjithë në mbledhjen e KQZ.

Vetëm pak minuta më parë deputetët socialistë kanë vendosur të dalin nga selia e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve duke deklaruar se nesër do të rikthehen të gjithë që në mëngjes për të asistuar në një mbledhje të hapur të KQZ-së ku duhet të shpallet rezultati i shumëpritur për bashkinë e Tiranës.

“Ne duam të bëjmë me dije se për sa kohë që KQZ-ja do të mblidhet nesër, ne do të jemi prapë këtu për të asistuar në bazë të ligjit në një mbledhje të rregullt të KQZ-së, për të asistuar pikërisht gjatë kohës kur do të formalizohet rezultati për bashkinë e Tiranës dhe fitorja e Edi Ramës”, deklaroi në dalje të selisë së KQZ-së, deputeti i Partisë Socialiste Erion Braçe.

Deputeti socialist i bëri thirrje sakaq qytetarëve të Tiranës, madje të gjithë shqiptarëve nga Tropoja në Konispol që të mblidhen nesër në orën 09.00 pranë KQZ-së dhe të marrin pjesë në mbledhjen e hapur të KQZ-së, duke ushtruar sikundër tha edhe të drejtën e tyre si votues.

“Ne do të jemi të gjithë këtu”, tha Braçe, duke nënvizuar se deputetët socialistë nuk shkelën asnjë ligj të vendit, porse ata erdhën në sallën e KQZ-së si deputetë legjitimë të popullit për të ndjekur një mbledhje të hapur publike.

Këtu deputeti Braçe akuzoi kreun e KQZ-së Arben Ristani dhe anëtarët e tjerë të këtij institucioni që i përkasin mazhorancës se po merrte në shqyrtim në mënyrë të jashtëligjshme akt-vendimin për të deformuar rezultatin e zgjedhjeve të 8 majit.

“Ne kapëm në flagrancë kryetarin Arben Ristani dhe tre anëtatërt e KQZ-së duke marrë në shqyrtim një akt, për të deformuar rezultatin”, nënvizoi deputeti Braçe.

Ai ripërsëriti se Arben Ristani dhe tre anëtarët e tjerë e kanë konsumuar krimin e ndryshimit të rezultatit edhe herë të tjera.

Deputeti i PS-së foli në emër të gjithë deputetëve të grupuar krah tij, duke deklaruar se ata deshën të asistonin në marrjen e një vendimi, i cili sikundër tha Braçe po mbahet i bllokuar prej tri ditësh nga KQZ.

Braçe bëri me dije se rezultati i zgjedhjeve është i mbyllur, duke shtuar se në mungesë të firmosje së tabelës përmbyllëse KQZ le të mbledhë procesverbalet e çertifikuara e 65 qendrave të votimit të njësisë nr. 5, të cilat siç tha ai, konfirmojnë fitoren e Edi Ramës.

Braçe akuzoi Ristanin se në vend të marrjes së vendimit të shumëpritur për Tiranën, braktisi detyrën bashkë me tre anëtarët e tjerë, duke bërë veshin e shurdhër edhe pas kërkesës së anëtarëve të PS-së në KQZ.

Sipas Braçes ishte Ristani ai që kërkoi konfrontimin e policisë dhe deputetëve socialistë.

Këtu Braçe hodhi akuza edhe ndaj Policisë së Shtetit, e cila në shkelje të plotë të ligjit dhe në bazë të një plani të qartë ka thirrur përforcime të forcave të ndërhyrjes së shpejtë nga Elbasani, Fieri, Gjirokastra, të cilat janë nisur drejt Tiranës.

Ky vendim i deputetëve socialistë erdhi pas kërkesës së policisë që ata të largohen nga salla e mbledhjeve të KQZ-së.

(noa.al)

No comments:

Post a Comment