Dënohen tetë persona për korrupsion

Një trup gjykues i përzier nga gjykatës vendas dhe të EULEX-it në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë i dënuan Zeqir Shamollin dhe Besim Hasanin me nga 4 vjet burgim, Mehmet Nuredinin me 2 vjet burgim dhe Halim Gjergjizin me 18 muaj burgim për keqpërdorim të autorizimeve ekonomike.
I njëjti trup gjykues e dënoi Orhan Ismajlin me 5 vjet burgim për keqpërdorim të autorizimeve ekonomike dhe lidhje të kontratave të dëmshme, thuhet në një njoftim nga EULEX, ku theksohet se edhe Hysen Sadiku, Bedri Humolli e Mazar Kazagiqi u dënuan me nga katër vjet e gjysmë, respektivisht 2 vjet dhe tri vjet e gjysmë burgim, për mashtrim.

Në rastin e të pandehurve Humolli dhe Nuredini, trupi gjykues vendosi t’u shqiptojë dënimin me kusht, ashtu që ata do ta vuajnë dënimin e tyre nëse i shkelin kushtet e parapara në dënimet e tyre.

Aktakuza është ngritur më 15 dhjetor 2006 pasi që Banka Qendrore e Kosovës kishte zbuluar parregullsi në Bankën Kreditore të Prishtinës (BKP), e cila më pas ishte mbyllur më 10 mars 2006.

Katër nga të pandehurit ishin pjesë e Bordit Menaxhues të BKP-së, kurse tre të tjerë nga kompani të jashtme. Aktakuza ishte ndryshuar më 18 prill 2007.

Gjykimi i cili përfundoi të hënën, ka filluar më 2 mars 2010, pasi që Prokuroria Speciale e Kosovës e mori përsipër këtë lëndë në vitin 2009, e të cilën e drejtuan një prokuror i EULEX-it dhe një vendas.

(telegrafi.com)

No comments:

Post a Comment