Degët që do të kenë më shumë kuota pranimi

Kuotat e pranimit në universitetet publike të vendit do të rriten përsëri gjatë vitit të ri akademik, por, me gjithë këtë fakt, shtimi i tyre do të vihet re më shumë në disa degë specifike.
Ndërsa një vit më parë për studimet e ciklit të parë në universitetet publike u pranuan 21 725 studentë të rinj, këtë vit, sipas parashikimeve të bëra nga Ministria e Arsimit, kjo shifër do të rritet me 10%.
Aktualisht, propozimet e bëra nga universitetet publike të vendit për pranimet e reja të studentëve, që janë depozituar prej ditësh për t’u shqyrtuar në Ministrinë e Arsimit, pritet të marrin së shpejti edhe firmën e qeverisë. Por, me gjithë propozimet e bëra nga universitetet, eksperienca ka treguar se jo gjithmonë miratohen totalisht apo pa ndryshime kërkesat e universiteteve për studentë të rinj, pasi në këtë proces hyjnë në “lojë” edhe objektivat dhe politikat e Ministrisë së Arsimit dhe qeverisë, për të rritur numrin e studentëve në degët që kanë treg pune e që për rrjedhojë rrisin edhe shanset e të rinjve për punësim pas përfundimit të studimeve. Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, gjatë një takimi me qeverinë “Progres” të gjimnazistëve në shkollën “Qemal Stafa” në kryeqytet, ka bërë të ditura disa nga detajet e kuotave të reja të pranimit në universitete, duke përmendur edhe degët që do të pranojnë më shumë studentë, gjatë vitit të ri akademik 2011-2012. 
“Ne së shpejti do të miratojmë vendimin e qeverisë i cili përcakton kuotat ose numrin e vendeve të studimit për degët dhe profilet e ndryshme në universitetet tona publike. Edhe këtë vit, ne do të kemi një rritje të numrit të kuotave. Struktura e kuotave që do të ofrojmë nuk do të ndryshojë shumë nga ajo e vitit të kaluar. Siç e dini, prej 2-3 vitesh ne po i japim rëndësi të veçantë rritjes së numrit të kuotave në shkencë, teknologji, ekonomi-biznes, menaxhim e gjuhë të huaja. Kjo strukturë do të ruhet edhe këtë vit. Interesi ynë është që sa më shumë maturantë të zgjedhin fushat, degët dhe profilet që lidhen me shkencën, kjo për shkak se nga të gjitha raportet internacionale është përftuar se mundësia e punësimit të studentëve që përfundojnë studimet në nivelin e parë, “Bachelor”, apo në nivelin e dytë, “Master”, është shumë më e madhe nëse janë të orientuar në fusha të tilla. 
Vendi ynë, një vend me një ekonomi në zhvillim të shpejtë, që kërkon në radhë të parë specialistë, studiues dhe shkencëtarë në fusha që lidhen drejtpërdrejt me zhvillimin ekonomik. Prioritetit që ne i kemi dhënë Teknologjisë së Informacionit dhe në vitin akademik në vazhdim ne kemi ofruar rreth 20 degë dhe profile që lidhen me Teknologjinë e Informacionit dhe këtë gjë do të bëjmë edhe këtë vit. Prioriteti që u kemi dhënë shkencave teknike inxhinierike, shkencave natyrore, ka të bëjë pikërisht me këtë, për t’u dhënë mundësi shkollimi të rinjve tanë në fusha që i çojnë shumë shpejt në tregun e punës dhe rrisin shanset për punësim dhe u krijojmë mundësi atyre për karrierë akademike”, - ka pohuar ministri Tafaj. 
Më tej, ai ka këshilluar maturantët që të zgjedhin edhe degët e mësuesisë, që, sipas tij, janë reformuar sipas një modeli bazë, bazuar në atë të Finlandës, që është një nga modelet më të suksesshme të arsimit në dy dekadat e fundit.
(www.mapo.al)

No comments:

Post a Comment