Çipi: E dënojmë dhunën, por tifozët s’mbaheshin

Shefi i klubit vlonjat tregon se kishte ditë që bëhej thirrje për qetësi, tani dëmet janë me miliona.
Situata pas asaj çfarë ndodhi një ditë më parë në ndeshjen Flamurtari Skënderbeu ka qenë më e qetë, ndërkohë që tashmë janë duke u llogaritur dëmet e shkaktuara, në mënyrë që të rikuperohen sa më shpejt.

Për gjithçka ka ndodhur pas ndeshjes Flamurtari Skënderbeu, sekretari i klubit vlonjat Geri Çipi ka pranuar se gjithçka ka ardhur edhe në sajë të gjithçkaje të akumuluar nga sportdashësit vlonjatë gjatë gjithë këtij sezoni futbollistik. “Pavarësisht thirrjeve tona për qetësi,- ka saktësuar Çipi,- duket se për sportdashësit vlonjatë gjithçka ishte edhe një mënyrë për të protestuar.

Fillimisht dua të hedh poshtë dhe me indinjatë të thellë deklaratën e kapitenit të skuadrës kampione në thonjëza, të lojtarit plak Shkëmbi, mbi çfarë ka thënë në adresën tonë pas ndeshjes së luajtur në Vlorë. Ky është një turp dhe një paturpësi i këtij futbollisti plak, që me të vërtetë të shkakton indinjatë të thellë.

Drejtuest e Flamurtarit nuk mund të merren me të tilla gjëra, të cilat çohen nëpër mend vetëm nga futbollistë pleq, që tashmë nuk kanë se çfarë të shtojnë më shumë. Ky është një turp që i takon vetëm Shkëmbit.

Për sa i përket asaj që ndodhi në fund të ndeshjes, pavarësisht thirrjeve që ne si drejtues kemi lëshuar me ditë me radhë, kjo erdhi nga zemërata e akumuluar gjatë gjithë këtij sezoni, për shkak të asaj çfarë është kurdisur në kurriz të Flamurtarit.

Natyrisht, ne i dënojmë akte të tilla të pahijshme dhe nuk bashkohemi aspak me to, por duket se për sportdashësin gjithçka ishte akumuluar në këtë mënyrë. Për të dalë edhe një herë te deklarata e mësipërme, kemi qenë ne drejtuesit e ekipit që sërish kemi kërkuar qetësi në fund të ndeshjes dhe pastaj kemi futur edhe disa prej futbollisteve të Skënderbeut në dhomat e zhveshjes, por këto harrohen nga të gjithë.

Nuk e di, ajo që ndodhi është për herë të parë në Vlorë dhe natyrisht kjo nuk është e hijshme, por sportdashësi e ka përcjellë edhe si një lloj hakmarrjeje për atë çfarë ka ndodhur deri më sot, në shumë ndeshje kundër Flamurtarit. Gjithsesi, tani çfarë të themi më shumë, shpejt do të bëjmë edhe një përllogaritje të dëmit, në mënyrë që stadiumi të jetë gati dhe të fillojmë investimin për ndeshjet europiane.

Ajo që ndodhi ka një kosto për klubin e Flamurtarit, pasi mendoj se dëmi i shkaktuar shkon në disa milionë lekë. Do të na dënojnë? Nuk e di çfarë të them, jemi mësuar tashmë,” përfundon fjalën e tij shefi i klubit të Flamurtarit, Geri Çipi.

(sportishqiptar.com.al)

No comments:

Post a Comment