CEZ merr kontrollin e tunelit të Kalimashit

Enti Rregullator i Energjisë Elektrike (ERE) ka miratuar së fundmi transferimin e nënstacionit të Kalimashit nga Operatori i Sistemit të Transmetimit te CEZ Shpërndarje.

Shumë shpejt do të jetë kompania private çeke CEZ, ajo që do të menaxhojë nënstacionin elektrik 110 kilovolt, që shpërndan energjinë për tunelin e rrugës Rrëshen-Kalimash, rreth 6 km i gjatë.

Aktualisht tuneli furnizohet po nga CEZ, por menaxhohej nga OST-ja, duke krijuar probleme në administrim konkret të asetit.

Bordi i Komisionerëve të Entit Rregullator të Energjisë në mbledhjen e tij, mbasi shqyrtoi kërkesën për miratimin e transferimit të aseteve nga shoqëria OST te shoqëria CEZ Shpërndarje, si dhe relacionin e Drejtorisë së Licencimit dhe Monitorimit të Tregut e Drejtorisë Juridike dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, konstatoi se aplikimi i shoqërisë OST i plotëson kërkesat e parashikuara nga ERE për transferim të aseteve.

Pas kësaj, bordi vendosi të fillojë procedurat për transferimin e nënstacionin 110/20 kv të Kalimashit, te shoqëria CEZ Shpërndarje.
(top-channel.tv)

No comments:

Post a Comment