Bulqizë, pallati-gërmadhë në këmbë, rrezikon fëmijët

 
Në gjendje kritike vazhdon të mbetet një pallat në lagjen “Bulqiza e re”. Në janar të vitit 2009, shembja e një pjese të tij vuri në rrezik jetën e 15 familjeve që ishin strehuar këtu pa lejen e organeve shtetërore.Banorët u strehuan fillimisht në xhaminë e Bulqizës dhe më pas në mjediset e një pallati, ish-pronë e Ministrisë së Ekonomisë, ndërkaq pallati problematik ka mbetur në mëshirë të fatit. Fillimisht u deklarua se ai do të rrafshohej, pasi përbënte rrezik për jetën e banorëve, sidomos fëmijëve të vegjël, pasi çdo orë të ditës ata i afrohen atij, madje futen dhe në brendësi të godinës për të luajtur. Kryetari i Bashkisë Bulqizë, Roland Keta është shprehur dy vjet më parë se do të mblidhet Këshilli i Rregullimit të Territorit të këtij qyteti dhe do të vendoset se çfarë do të ndodhë me objektin katërkatësh. “Unë deklaroj se gjithçka do të vendoset në mbledhjen e KRRT-së ku specialistët e fushës së ndërtimit do të thonë fjalën e tyre. Ende nuk është vendosur nëse pallati do të shembet apo do të qëndrojë ashtu siç është. Ky pallat ishte një objekt i papërfunduar dhe si i tillë nuk është pronë e askujt. Ishte planifikuar për hotel, por mbeti përgjysmë”, është deklarata e fundit e kryebashkiakut të Bulqizës. Në lidhje me pretendimin e banorëve se mbi truallin e këtij objekti do të ngrihet një objekt tjetër, ngjitur me “Rrugën e Arbërit” kryebashkiaku i Bulqizës pati sqaruar se: “Pak më intereson nga kalon “Rruga e Arbërit”, ngjitur me pallatin e shembur apo larg tij. Deri më tani nuk ka kurrfarë projekti apo vendimi se mbi themelet e këtij pallati do të ngrihet një tjetër objekt. Gjithçka do të vendoset nga KKRT-ja e Bashkisë dhe specialistët”. Si ky pallat, ishte problem për bulqizakët edhe godina e një shkolle 9-vjeçare në qytetin e Bulqizës. Pas ankesave të shumta të banorëve Bashkia vendosi shembjen e saj, pasi ajo ishte fare pranë shkollave të tjera dhe frekuentohej nga nxënësit edhe për nevoja personale. Pallati pranë xhamisë, i cili ka mbetur si mall pa zot, aktualisht nuk është pronë e askujt, pasi ndërrimi i sistemit politik në vend e gjeti në ndërtim. Pas zgjedhjeve dhe rinisjes së mandatit tjetër 4-vjeçar nga ana e kryebashkiakut Keta, pritet që të ndërmerret një iniciativë konkrete për këtë objekt që rrezikon çdo ditë e më shumë banorët.

(panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment