Berisha: Vlerësoj raportin e ODHIR, të vendosur për kompletimin e procesit

Pas daljes së kandidatit demokrat për Tiranën Lulzim Basha pak çaste para raportimit paraprak mbi zgjedhjet të vëzhguesve të ODHIR, lideri demokrat Sali Berisha, e vlerësoi raportin paraprak duke shprehur mirënjohjen për vëzhgimin e plotë të këtyre zgjedhjeve. Kryetari i demokratëve shprehu vlerësimin e palëkundur të tij ndaj këtij raporti.
Këtu lideri demokrat i garantoi ata se do të bëhet çdo gjë për të kompletuar të tërë procesin zgjedhor deri në përfundim të tij, me qëllim që siç tha, çdo votë e qytetarëve shqiptarë të marrë peshën që i takon.

Në këtë kontekst kryeministri Berisha falenderoi të tërë komisionerët dhe numëruesit e votave.

Shefi i demokratëve nguroi të komentojë humbjen e demokratëve në pjesën më të madhe të vendit, po ashtu edhe humbjen e bastionit të Kavajës, duke theksuar se ai mbetet i vendosur të presë deri kur KQZ të japë rezultatet.

“Ne nuk do të parakalojmë KQZ-në në dhënien e rezultateve. Pres që të finalizohet e shpallet rezultati dhe të përshëndes zgjedhjet”, deklaroi shefi i selisë blu.

Ai theksoi se procesi në Tiranë është i gjatë pasi këtu është votuar në katër fletë dhe numërimi i këtyre kërkon kohë.

Ai shprehu besimin për komisionerët dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, duke kërkuar që procesi i numërimit të finalizohet brenda standardeve.

“Mazhoranca, qeveria, kryeministri janë të detyruar të zbatojnë me përpikmëri ligjin dhe të bëjnë gjithçka që procesi të vijojë në përputhje me ligjin. Komisionerët tanë kanë porosinë që të bëjnë maksimumin për të kompletuar tërë procesin”. Tha kryeministri Berisha.

Ai nuk komentoi raportet e opozitës, duke theksuar se ato janë pjesë e kulturës së çdo politikani, duke e argumentuar këtë me faktin se “në politikë je për të shfrytëzuar tërë potencialin, por në mënyrë vendimtare je, për të respektuar verdiktin e popullit tënd”.

Por, kryeministri Berisha vlerësoi edhe raportimet e mediave dhe gazetarëve në zbardhjen e këtij procesi të gjatë.

“Vlerësoj gazetarët për punën e shkëlqyer në finalizimin me sukses të këtyre zgjedhjeve. Mendoj se mediat shqiptare, një nga kontributet më të mëdha në këtë vend gjatë tërë këtyre viteve është se kanë bërë avokatinë ndaj votës së lirë”, u shpreh kryeministri.

Sipas tij mediat duke raportuar të vërtetat, shpesh herë i bëjnë konfuze forcat politike.

(noa.al)

No comments:

Post a Comment