Berisha: Tirana u gdhi blu, morëm 14 deputetë më shumë


Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje se është e paimagjinueshme që kreu i opozitës të kërkojë mbylljen e kutive, në një kohë që opozita ka luftuar prej dy vitesh për një kauzë të tillë.
Në një konferencë për shtyp, Berisha tha se nuk besonte që kundërshtari i tij të adoptojë tani moton “mbyll kutitë të fshehim votën”. “Për vendin do të thotë një standard i shkëlqyer në respektin e votës, e cila duhet të jetë e njëjtë në peshë, në vlerë, si ajo e Presidentit, Kryeministrit, e një punëtori të thjeshtë, apo e cilitdo. Para kutisë së votimit jemi të barabartë. Unë di probleme tmerrësisht serioze që z. Rama ka me votën e lirë, por besoj se njeriu që për dy vite rresht kërkoi të hapen kutitë, nuk do të thotë më tani mbyll kutitë të mos shoh votat, sepse do të ishte e paimagjinueshme. E rëndësishme është që çdo votë të vihet në ekran dhe të shihet në bazë të procedurave të sakta ligjore. Në periudhën e kontestit të parashikuar me ligje, e cila parasheh veprimin e KQZ-së dhe atë të gjykatës, nuk kam pse të paragjykoj z. Rama dhe nuk besoj se ai do të adoptojë tani moton ‘mbyll kutitë të fshehim votën’”, tha Berisha. Kreu i maxhorancës tha më tej se koalicioni i drejtuar prej tij ka marrë në rang vendi 140 mijë vota më shumë, e cila përkthehet në 14 deputetë më shumë për këtë maxhorancë në Kuvend. “Edhe një herë dua të shpreh mirënjohjen time të thellë për shqiptarët, të cilët, sipas rezultateve të shpallura nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i dhanë Aleancës për Qytetarin, pra vetes tyre, 140 mijë vota më shumë se koalicionit ‘fajin e ka Saliu’. Kur exit-pollet, të cilave unë nuk u besoj, më nxirrnin mua dhe koalicionin që unë drejtoj me 2 shifra më shumë përpara, unë prisja rezultatin me durim, pra siç e shihni, sot ka një forcë qeverisëse, e përkthyer kjo në deputetë dhe kësaj i thonë 14 deputetë të grupit të maxhorancës, ose 16 deputetë të standardit votë për deputet, deputet pak më shumë të minorancës”, tha ai.

Berisha foli edhe për Tiranën, duke e cilësuar atë “blu”. “Jam këtu gjithashtu që të shpreh mirënjohjen dhe kënaqësinë time për “Tiranën blu”. Tirana u gdhi sot blu, dhe ky është gjithashtu një shpërblim i madh. U jam shumë mirënjohës qytetarëve të Tiranës. Shtatë minibashki u fituan nga përfaqësuesit e koalicionit “Aleanca për qytetarin”. Natyrisht, Tirana votoi blu, sepse fushata këtu u drejtua në shkallën më të lartë të qytetarisë nga kandidati i aleancës, z. Lulzim Basha. Nuk do të harroj se ne kemi shpallur si filozofi tonën më të vështirën, ne nuk bojkotojmë, nuk braktisim asnjë vend të këtij territori dhe ju garantoj që pot të kërkoni ju në arkivat tuaja, paraardhësit tanë kishin krijuar zonat dhe territoret e asgjësë”, tha Berisha. Kreu i qeverisë vlerësoi në maksimum procesin zgjedhor duke e cilësuar atë më transparentin. “Ka një zhvillim madhor, votat i numëruat ju, i numëruan mediat, si në asnjë vend tjetër. Një transparencë e pashoqe, për të cilën ne duhet të krenohemi dhe kurrë nuk duhet të kemi eufori, port të jemi të bindur se kemi ende shumë për të bërë. Ne nuk duhet të harrojmë se në këtë rrugë duhet të jemi të aftë të arrijmë standarde të larta europiane, edhe shumë përpara të tjerëve”, deklaroi Kryeministri në konferencën për shtyp.

“Shqipëria, vendi më i madh 2017”

Kryeministri Sali Berisha publikoi dje projektin “Shqipëria, vendi më i madh 2017”, duke e cilësuar si një projekt të mbështetur nga qytetarët. Sipas tij, Shqipëria i ka të gjitha potencialet, ashtu si asnjë vend tjetër, për të kapur nivele shumë të larta zhvillimi. Kreu i qeverisë tha se me lirimin e buxhetit nga financimi i rrugëve, qeveria do të investojë në zona malore. “Ndërkohë që vendet e tjera janë vetëm malore, siç është Austria, do të jetë jo e largët dita kur ‘Zvicra me det’ të thotë fjalën e saj në rajon”, tha Berisha.

(panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment