BE-ja me standarde të dyfishta për Kosovën

Ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku ka thënë se BE-ja shpesh po përdor standarde të dyfishta kur po mat progresin e Kosovës dhe vendeve të rajonit.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, duke folur për dialogun për vizat, si dhe marrëdhëniet tregtare me BE-në, që ishin paralajmëruar si prioritet, Çitaku vuri në dukje se “është e vërtetë, që për fat të keq, Kosova mbetet vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor pa marrëdhënie kontraktuale me BE-në”.

“E vërteta është se në BE në samitet e vazhdueshme që janë mbajtur në dekadën e fundit, nga Selaniku, Zagrebi dhe ai i fundit në Sarajevë, në vazhdimësi ka përsëritur perspektivën evropiane për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Në këtë kontekst është thënë shumë herë që edhe Kosova nuk do të përjashtohet nga kjo perspektivë.
Megjithatë, në sfondin konkret, Kosova mbetet vendi i vetëm pa një marrëdhënie kontraktuale me BE-në. Për më tepër, që nga një janari i këtij viti ne nuk përfitojmë nga masat autonome tregtare, nga të cilat Kosova ka përfituar që nga viti 2000, mirëpo kjo jo për shkak të Kosovës, por për shkak të ridefinimit të marrëdhënieve ndërmjet Këshillit dhe Komisionit Evropian tash pas hyrjes në fuqi të Traktatit të Lisbonës. Ndërkohë, fatkeqësisht, qytetarët tanë mbeten të vetmit në Evropë, të cilët kanë të drejtë që pa viza të udhëtojnë në vetëm 5 shtete nga 192”, ka thënë Çitaku.

Sipas saj, në tetor të vitit të kaluar, kur është publikuar Raporti i Progresit, komisionari për zgjerim, Stefan Fuele, ka deklaruar shumë qartë që shumë shpejt do të hapet dialogu i vizave edhe me Kosovën, por që nga atëherë kanë kaluar gati shtatë muaj dhe Kosova ende nuk e k marrë udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave.

“Duhet ta kemi të qartë që integrimi evropian nuk është sfidues vetëm për ne, por edhe për BE-në, duke pasur parasysh kontekstin politik - pesë vende të BE-së nuk e kanë pranuar ende Republikën e Kosovës dhe çdo nënshkrim i marrëveshjes duhet miratuar nga parlamentet respektive të 27 vendeve dhe një çështje e tillë në këtë pikë është sfiduese për vetë strukturat e BE-së”, ka thënë Çitaku.

 /Telegrafi/

No comments:

Post a Comment