Bashkërendim me Shqipërinë e Maqedoninë për diasporën

 
Komisioni Parlamentar për Punë të Jashtme ka shqyrtuar inicimin e krijimit të një Instituti Kombëtar të Diasporës bashkë me Shqipërinë dhe Maqedoninë, duke e arsyetuar nevojën për një përkujdesje më të mirë ndaj diasporës dhe mërgatës, e cila në vendet perëndimore është e organizuar në baza nacionale, në funksion të ruajtjes më të mirë identitetit kombëtar.

Kryetari i Komisionit, Albin Kurti, ka përmendur kontributin e mërgimtarëve shqiptarë për zhvillimin ekonomik të Kosovës, të Shqipërisë e të vendeve të tjera të rajoni si dhe kontributin e tyre për mbështetjen e luftës çlirimtare në Kosovë.

Anëtarët e tjerë të Komisionit, Hydajet Hyseni, Skender Hyserni, Donika Dada-Bujupi e Shaip Muja, janë pajtuar për domosdoshmërinë e organizimit institucional të mërgatës dhe diasporës shqiptare në botë, por kanë kërkuar që çështja të analizohet në shumë drejtime, për një organizim sa më të mirë të mërgimtarëve tanë, duke tërhequr vëmendjen që një çështje kaq e rëndësishme të mos politizohet.

Është arritur pajtimi që qëndrimet e këtij takimi të hartohen në formë rekomandimesh, të cilat do t’u përcillen Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Ministrisë së Diasporës, që të përfshihen në agjendat e tyre të punës.

Është thënë gjithashtu që duhet bashkërenduar me Shqipërinë, e cila e ka Institutin Kombëtar të Mërgatës, si dhe me Maqedoninë dhe Malin e Zi për krijimin një Instituti të ngjashëm të përbashkët.

Anëtarët e Komisionit kanë vendosur, ndërkaq, ta thërrasin për herë të tretë ministrin e Jashtëm Enver Hoxhaj për të raportuar në Komision lidhur me njohjet për Republikën e Kosovës dhe për punën e misioneve diplomatike në botë, duke shpresuar se kësaj radhe (nga mesi i qershorit) ministri do të gjejë kohë t’i përgjigjet kërkesës së Komisionit. 

(Telegrafi.com)

No comments:

Post a Comment