Barroso në Kosovë: Vazhdoni reformat e thella

 
Presidenti i Komisionit Evropian, Hose Manuel Barroso deklaroi se qeveria e Kosovës duhet të përmbushë standarde evropiane dhe të përmirësojë jetën për cdo qytetar që jeton në këtë vend.


"Duhet të vazhdoni me reforma të thella, të shpejta për të përmirësuar jetën tuaj. Kjo do të jetë edhe një shenjë se keni perspektivë evropiane", tha Barroso në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin Hashim Thaci në Prishtinë, pas një takimi të zhvilluar në zyrën e shefit të qeverisë.

Barroso theksoi se e ardhmja e Kosovës varet tërësisht nga qeveria dhe populli i Kosovës që të vazhdojë me reformat dhe të konsdolidojë demokracinë. "Kjo është një punë tërësisht e Kosovës, ne do të ju ndihmojmë por detyrën kryesore e keni ju", tha Barroso.

Kryeministri Hashim Thaci falenderoi mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar në njohjen e paavrësisë së Kosovës dhe shprehu besimin në zgjerimin e hartës së njohjeve në arenën ndërkombëtare.

Thaci theksoi se puna e deritanshme e qeverisë po ecën me ritme të mira dhe u shpreh se në të ardhmen do të përmbushen të tjera aspirata.

"Ne do të vazhdojmë me qeverisjen efikase për qytetarët e Kosovës dhe të pakicave etnike, bashkëpunim të mirë të shkëlqyeshëm me fqinjët, përfshirë edhe Serbinë. Duam të përmbushim vlerat dhe standardet evropiane. Ne besojme në të ardhmen e përbashkët ne NATO dhe BE. Takimet e fundit me zyrtarët e lartë janë inkurajuese për ne", tha Thaci.

Kryeministri theksoi se dialogu me Serbinë është në interes të dy popujve dhe se Prishtina ka si qëllim të jetë shembull i paqes dhe i bashkëpunimit rajonal.

(top-channel.tv)

No comments:

Post a Comment