Banka, kreditë e këqija u rritën deri në 14,4 për qind

 
Depozitat dhe kreditimi në muajin mars kanë shënuar rritje. Kreditë me probleme arritën 14.42 për qind, ndërkohë që 9.11 për qind e tyre janë të mbuluara me provigjone.Raporti statistikor i Bankës së Shqipërisë për muajin e tretë të vitit jep edhe detajet lidhur me ecurinë në sektorin bankar në vend.

Depozitat
Në fund të muajit mars, vlera totale e depozitave në lekë në sektorin bankar shqiptar arriti 4 miliardë e 237 milionë lekë. Krahasuar me tremujorin e mëparshëm, vihet re rritje. Ky nivel depozitash u takon më shumë atyre me afat të përcaktuar, ndërkohë që ato pa afat janë në një nivel më të vogël. Në shifra, depozitat me afat kapin vlerën 3 miliardë 455 milionë lekë, ndërsa ato pa afat, 782 milionë lekë. Ndërkaq, depozita në valutë ka pësuar gjithashtu rritje. Në mars, totali i depozitave në monedhë të huaj ishte 3 miliardë e 741 milionë lekë. Nga Banka e Shqipërisë, edhe në raportin e saj të politikës monetare për tremujorin, vlerësohet pozitivisht ecura e depozitave në vend. Lidhur me interesat e depozitave vihet re një rritje e atyre me afat 24-mujor dhe një ulje e interesave për depozitat me afat të shkurtër depozitimi.
Kreditimi
Kreditimi në vend, edhe pse ka shënuar rritje nga Banka e Shqipërisë, jo rrallë është cilësuar se ka si problem mungesën e kërkesës dhe planeve të qarta të biznesit. Në fund të muajit mars, kredia totale shënoi 4 miliardë e 841 milionë, ku pjesën më të madhe të kësaj kredie e ka përfituar biznesi, me një vlerë 3 miliardë 401 milionë lekë. Kredia e marrë në lekë, euro ose dollarë, ka përdorim specifik për secilën. Kështu, shumica e kredisë e marrë në lekë, sipas Bankës së Shqipërisë, përdoret nga biznesi për overdrafte, kapital qarkullues dhe më pak për blerje pajisjesh apo makinerish dhe pronash të paluajtshme. Kredia që përdoret për blerje pajisjesh është ajo që merret në dollarë, ndërsa ajo në euro rëndom përdoret për pronat e paluajtshme. Por, si kanë ndryshuar interesat e kredive në mars. Në fakt, vihet re një tablo, e cila ndryshon shpesh. Kështu, krahasuar me shkurtin, në mars vihet re një ulje e interesit për kreditë në lekë me 3-5 vjet, por rritje për kreditë mbi 5 vjet. Te kredia në dollarë vihet re rritje e interesit për kreditë e të gjitha afateve, duke filluar nga ato deri në gjashtë muaj, tek ato mbi 5 vjet. E njëjta gjë vihet re edhe te kreditë në euro, interesat e të cilave, krahasuar me shkurtin, janë më të larta. Në këtë kuadër duket se kredia e vetme me interes është ajo në lekë, kurse interesat relativisht të larta për euron dhe dollarin duket se janë një instrument për të mbajtur larg qytetarët, të cilët me një kredi të tillë janë të ekspozuar ndaj rrezikut të kursit të këmbimit.
Kreditë e këqija
Në fund të marsit, totali i kredive të këqija arriti 14.42 për qind, nga 13.6 për qind që ishte në fund të dhjetorit të vitit të kaluar. Kjo rritje e kredive të këqija, pa dyshim që ka hasur edhe në thirrjet e vazhdueshme të Bankës së Shqipërisë që sektori bankar të jetë i kujdesshëm dhe të shtojë vëmendjen në ndjekje të kredive problematike. Nga ana tjetër, Banka e Shqipërisë jo pak herë ka kërkuar që bankat të studiojnë situatën e klientëve të tyre në mënyrë që të evitojnë probleme të tilla me portofolin e kredisë.

14.4 per qind
arriti në fund të marsit portofoli i kredive të këqija, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë. Në tremujorin e fundit të 2010-s ky portofol ishte 134.6 për qind

4.8 miliarde leke
është shifra totale e kredisë që sektori bankar i ka dhënë ekonomisë shqiptare. Nga totali, pjesën më të madhe e ka përfituar biznesi, i cili ka marrë 3.4 miliardë lekë

4.2 miliarde leke
shënonin në fund të marsit depozitat në lekë në sektorin bankar. Nga këto depozita, 3.4 miliardë janë depozita me afat dhe 782 milionë lekë janë depozita pa afat

Durrësi, i dyti për kreditimin pas Tiranës

Kredinë më të madhe, përveç Tiranës që është e para në listë, e ka fituar Durrësi. Ndërsa në Tiranë kredia e dhënë arrin 3.4 miliardë lekë, për Durrësin kredia e dhënë arrin 389 milionë lekë. Më pas, i treti renditet qyteti i Elbasanit. Tirana është përfituesja më e madhe e kreditimit, duke qenë, përveçse kryeqytet, edhe vendi ku është e vendosur pjesa më e madhe e biznesit dhe aktivitetit ekonomik.

Kursi, leku i dobët përballë euros

Kursi i këmbimit, i paraqitur me luhatje të vazhdueshme gjatë muajit mars, arriti që në fund të mbyllej me një rritje të lekut karshi gjithë monedhave të tjera, përveç euros. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se leku e mbylli marsin me rritje karshi dollarit amerikan, paundit britanik, jenit japonez, por nuk arriti të ndryshonte kursin e euros, i cili mbeti i fortë përballë tij. Në fund të marsit një euro u shkëmbye me 140.57 lekë.

Sektorët më të kredituar të biznesit

Biznesi është kategoria që ka marrë pjesën më të madhe të kredisë që është dhënë nga bankat në vend. Po cilët janë sektorët që kanë përfituar pjesën më të madhe të kredisë 3.4 miliardë lekë? Kështu vendin e parë e zë tregtia, riparimi i automjeteve dhe artikujve shtëpiakë me 1.1 miliardë lekë, të dytin e zë ndërtimi me 657 milionë lekë, ndërsa të tretin industria përpunuese me 511 milionë lekë.

Statistikat e muajit mars 2011

. Kredia në lekë, 4.8 miliardë lekë

. Kredia për biznesin, 3.4 miliardë lekë

. Kredia për Tiranën, 3.4 miliardë lekë

. Interesi i kredisë në lekë me afat mbi 5 vjet në mars, 11.32%

. Depozitat në lekë, 4.2 miliardë lekë

. Depozitat në lekë pa afat, 782 milionë lekë

. Depozitat në lekë me afat, 3.4 miliardë lekë

. Depozitat në valutë, 3.7 miliardë lekë

. Kreditë e këqija në fund të marsit, 14.42 %

. Kreditë e këqija në dhjetor 2010, 13.6 %

(panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment