Arrestohen sekseserët e mjekësisë


Dy persona të akuzuar si sekserë të pedagogëve të Fakultetit të Mjekësisë u arrestuan të premten nga Policia e Tiranës me urdhër të Njësisë Task-Forcë Antikorrupsion.


Shtetasi Kreshnik Cami, kamerier në një lokal pranë Fakultetit të Mjekësisë dhe Bujar Luga, punonjës i Fakultetit të Mjekësisë, akuzohen se kanë kryer veprën penale “ushtrimi i ndikimit të paligjshëm tek personat që ushtrojnë funksione publike”.

Arrestimi i dy të dyshuarve u bë pasi Gjykata e Tiranës, me kërkesë të Prokurorisë, vendosi masën “arrest me burg” në mungesë ndaj dy të akuzuarve. Ata akuzohen se duke ndërmjetësuar me studentët, kanë marrë shuma parash nga studentët me premtimin se do t’u jepeshin pedagogëve.

Sipas Prokurorisë, në dy raste të arrestuarit kanë marrë nga 50 euro për dy provime, ndërsa më vonë ata u kanë marrë studentëve “të interesuar”, edhe për tri provime të tjera, shumën prej 5 mijë lekë të reja për çdo lëndë.

Njësia Task-Forcë e Prokurorisë së Tiranës ka nisur hetimet në fund të janarit 2011 dhe, pas pesë muajsh hetime, dy të dyshuarit janë vënë në pranga. Është e paqartë nëse do të hetohen edhe pedagogët që kanë marrë ryshfet, raportoi Panorama.

(Telegrafi.com)

No comments:

Post a Comment