Alonso vazhdon në Ferrari

Piloti spanjoll Fernando Alonso ka nënshkruar kontratë të re me Ferrarin, që do ta mbajë atë me ekipin italian deri në fund të sezonit 2016.



Njoftimi erdhi pak para se Alonso të hynte në vitin e tij të fundit të kontratës, që kishte nënshkruar kur erdhi në Ferrari më 2009.

“Jam shumë i lumtur që kemi arritur këtë marrëveshje”, tha 29 vjeçari, dy herë kampion i botës në Formula 1.

“Menjëherë jam ndjerë mirë në Ferrari, që tani më është bërë si një familje e dytë”, shtoi ai. Me nënshkrimin e një marrëveshjeje të këtillë afatgjate, Alonso është i bindur se tani do të përfundojë karrierën e tij në Formula 1 me Ferrarin.

“Besoj te njerëzit që punojnë në Maranello dhe te të tjerët që i udhëheqin ata. Është normale të vendosi të vazhdoj marrëdhëniet e mia në afat të gjatë si ky, me një ekip ku pa dyshim se një ditë do të përfundoj karrierën time në Formula 1”, u shpreh ai.

Presidenti i Ferrarit, Luca di Montezemolo, shtoi: “Është kënaqësi e madhe që kemi vazhduar kontratën me një ngasës që gjithmonë ka dëshmuar mentalitetin fitues edhe në rrethanat më të vështira. Fernando ka të gjitha kualitetet e nevojshme të luajë rol udhëheqës në historinë e Ferrarit dhe shpresoj se së shpejti do të arrijë të na sjellë fitore të reja”.

(www.gazetaexpress.com)

No comments:

Post a Comment