21 janari, zbulohet pistoleta e gardistit që vrau Faik Myrtajn

TIRANË - Faik Myrtaj është vrarë më 21 janar përpara kryeministrisë nga një punonjës i Gardës së Republikës, i cili ka qëlluar 11 herë me pistoletë në ajër dhe në drejtim të turmës. Ky fakt është zbuluar nga ekspertët e Institutit të Policisë Shkencore, në Ministrinë e Brendshme.

Lajmi konfirmohet nga burimet e rezervuara të Ministrisë së Brendshme, ku, sipas tyre, është identifikuar numri i pistoletës, nga e cila kanë dalë 11 plumba luftarakë dhe njëri prej tyre është gjetur në trupin e viktimës Myrtaj. Sipas këtyre burimeve, mësohet se pistoleta e identifikuar është sekuestruar në Gardën e Republikës së bashku mes 35 pistoletave të tjera të kalibrit 9 mm, në fund të muajt mars.
Burimet shpjeguan se këto pistoleta, pasi janë sekuestruar nga hetuesit e çështjes, janë dorëzuar në Laboratorin Kriminalistik për ekspertim balistik e krahasues me 14 gëzhojat e gjetura në oborrin e kryeministrisë. Deri në këtë moment, të 14 gëzhojat kishin mbetur pa autor. Detyra e dytë e ekspertëve ishte verifikimi i tyre me predhën e gjetur në trupin e viktimës Myrtaj.
"Nga ekspertimi balistik e krahasues i 36 pistoletave, me 14 gëzhojat e gjetura në pjesën veriore të ndërtesës së Këshillit të Ministrave (në krah të Piramidës) dhe me predhën e gjetur në trupin e viktimës Faik Myrtaj, ka rezultuar pozitive njëra prej tyre. Pistoleta e identifikuar ka rezultuar pozitiv në qitjen e 11 plumbave luftarakë, që korrespondojnë me 11 nga 14 gëzhojat e gjetura në oborrin e kryeministrisë, të cilat kishin mbetur pa "pronar" deri pak ditë më parë kur u identifikua numri i pistoletës", - thuhet nga burimet e Ministrisë së Brendshme.
Po këto burime nuk japin detaje të hollësishme të numrit të kësaj arme apo personi që kishte në përdorim, pasi emrat e përdoruesve ndodhen në zyrat e hetuesve të Prokurorisë së Tiranës.
"Edhe predha e gjetur në trupin e shtetasit Faik Myrtaj, rezulton se është qitur nga e njëjta pistoletë e kalibrit 9 mm që ka shkrepur 11 plumbat luftarakë. Tashmë akt-ekspertimit balistik do t'i bashkëngjiten edhe 11 nga gëzhojat e gjetura në oborrin e kryeministrisë", - thuhet nga burimet.
Por, pavarësisht identifikimit të pistoletës, mësohet se ekspertët e Institutit të Policisë Shkencore, janë urdhëruar nga një drejtues i lartë i Policisë së Shtetit për të mos përpiluar raportin përfundimtar të këtij akt-ekspertimi dhe mos ta dorëzojnë atë në Prokurori.
Arsyetimi i këtij mosdorëzimi, sipas këtyre burimeve, mësohet se është bërë për të mos ndikuar negativisht për kandidatin e Partisë Demokratike, Lulëzim Basha, tek votuesit për zgjedhjet e 8 majit. Gjatë ngjarjeve të 21 janarit, Basha ishte ministër i Brendshëm dhe është akuzuar publikisht si njeriu përgjegjës për vrasjen gjakftohtë të katër personave.
Ndërkohë, për të përforcuar këtë informacion të burimeve të rezervuara, pak ditë më parë në Prokurori është dorëzuar raporti përfundimtar i akt-ekspertimit balistik e krahasues i 15 pistoletave të dërguara për ekspertim në fund të muajt prill.


Sipas rezultatit të këtij ekspertimi, kanë rezultuar 15 pistoletat e fundit të pastra, ndërsa, për 36 pistoletat e dorëzuar në fund të muajt mars, për prokurorin ende nuk ka një përgjigje përfundimtare, me arsyetimin se janë në proces ekspertimi.


Ky arsyetim, sipas prokurorisë, është mosbesues, pasi fakti që 15 pistoletat e fundit u ekspertuan brenda pak ditë dhe doli raporti përfundimtar që rezultuan të pastra, ndërsa 36 të tjerat janë në "proces". Sipas burimeve konfidenciale, ky përfundim pritet të dorëzohet në prokurori pas zgjedhjeve lokale të datës 8 maj 2010, ku edhe pritet më pas arrestimi i qitësit.


Verifikimi


Ekspertët e Policisë Shkencore, gjithashtu, konfirmuan se nga 14 gëzhojat që deri më tani kishin mbetur pa autor, 11 prej tyre janë identifikuar dhe tre të tjera jo. Tre gëzhojat e tjera, janë qitur nga një armë e tipit "Makarov" rus, të cilat shumë shpejt do të identifikohen, pasi vetëm pak punonjës së Gardës së Republikës mbanin armë të tilla.


Çfarë përmban video 14 minuta


Pak kohë më parë, "Shekulli" publikoi një nga provat e reja të grupit hetimor të prokurorisë për vrasjen e katër protestuesve më 21 janar nga punonjësit e Gardës së Republikës. Ajo është një video rreth 14 minuta e gjatë dhe në të duken gardistët që qëllojnë me pistoletë. Në minutën e gjashtë të videos shfaqet punonjësi i parë i Gardës që qëllon me pistoletë.


Në minutën e 11-të shfaqet një punonjës tjetër i Gardës që qëllon me këtë armë. Videoja përfshin brenda minutazhit të saj edhe momentet tragjike të vrasjes së të ndjerit Ziver Veizi, por në një tjetër këndpamje (nga ana e Piramidës). Në video shihet se në pikërisht në momentet kur Veizi rrëzohet, ka lëvizje të shpejta dhe një intensitet të lartë të shtënash nga gardistët e grupit të zjarrit.


Duket sikur kanë marrë njëherazi, të njëjtin urdhër. Pak sekonda më pas, në video shfaqet vrasja e Aleks Nikës. Ai sapo është qëlluar dhe po mbahet në krahë nga protestuesit e tjerë të tmerruar që thërrasin për ndihmë me fjalët "Shpejt, shpejt", "Ambulanca, Ambulanca"


Kush janë njerëzit nën hetim


Ndrea Prendi, Komandant i Gardës së Republikës, nën hetim


Alfred Ahmetcenaj, Komandant i Njësisë Speciale të Gardës së Republikës, nën hetim


Dashamir Shehi, Komandant i Njësisë nr. 2 të Gardës së Republikës, nën hetim


Aleksandër Dede, Komandant njësie në Gardën e Republikës, nën hetim


Altin Kollçinaku, Komandant njësie në Gardën e Republikës, nën hetim


Fatos Bushati, Komandant njësie në Gardën e Republikës, nën hetim


Agron Malaj, efektiv i Njësisë Speciale të Gardës së Republikës, nën hetim


Sadik Çelaj, efektiv i Njësisë Speciale të Gardës së Republikës, nën hetim


Mark Nikolli, efektiv i Njësisë Speciale të Gardës së Republikës, nën hetim


Gazmend Ahmetaj, efektiv i Njësisë Speciale të Gardës së Republikës, nën hetim


Agim Llupo, efektiv i Njësisë Speciale të Gardës së Republikës, i arrestuar

(shekulli.com.al)

No comments:

Post a Comment