10 ekipet më të këqija të historisë

Kampionatet e futbollit në Europë janë duke u mbyllur. Tashmë në pjesën më të madhe të tyre janë shpallur fituesit. Në Gjermani, Borusia është rikthyer tek titulli kampion pas vitesh të tëra mungesë. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në Itali, ku Milani ka mundur që të thyejë hegjemoninë e vendosur nga Interi pas Kalçiopolit, duke u shpallur kampion dy javë nga fundi. Në Angli dhe Spanjë, Mançester Junaited dhe Barcelona praktikisht janë shpallur kampionë, pasi u mjafton vetëm një pikë që të quhen zyrtarisht fitues të titullit. Por, përveç ekipeve që kanë dominuar, ka edhe ekipe të cilat kanë bërë paraqitje negative. Për këtë arsye, Eurosport ka bërë një përzgjedhje për 10 ekipet më të këqija në historinë e futbollit. Ja se cilat janë:

1. Tasmania Berlin 1900 (Gjermani 1965-1966): Ky ekip mundi që të merrte vetëm 10 pikë dhe pësoi 28 humbje. Bundesliga tashmë është një kampionat cilësor, por, që atëherë nuk mbahet mend ndonjë ekip më i dobët se berlinezët e Tasmanisë. Tashmë në ditët e sotme nuk dihet më asgjë për këtë klub, që do të kujtohet gjithmonë për rekordin e vet negativ.

2. Derbi Kaunti (Angli 2007-2008): Në këtë sezon arriti që të merrte vetëm 11 pikë në 37 ndeshje të zhvilluara. Një rekord negativ për një nga ekipet që në vitet 70-80 ka qenë një nga ekipet më prestigjioze në Angli dhe e ka përfaqësuar këtë të fundit denjësisht në kompeticionet evropiane.

3. Leçe (Itali 1993-1994): Ky ekip arriti që të grumbullonte vetëm 11 pikë gjatë gjithë kampionatit, duke hyrë negativisht në historinë e futbollit italian. Ishin vitet kur futbolli italian ishte në kulmin e vet, me Milanin e famshëm të Van Basten. Leçe si të thuash ishte antipodi i këtij futbolli që kishte arritur kulmin me Milanin.

4. Katania (Itali 1983-1984): Poshtë Leçes gjendet sërish një tjetër ekip italian, që mori vetëm një pikë më shumë gjatë gjithë kampionatit, pra 12, me një mesatare për të ardhur keq, me vetëm 0.3 pikë për ndeshje. Askush nuk u befasua me rënien një kategori më poshtë të Katanias, duke qenë se kjo gjë ishte bërë e zakonshme për këtë klub.

5. Sporting Gijon (Spanjë 1997-1998): Arriti që të grumbullonte vetëm 13 pikë në 38 ndeshje kampionati. Konsiderohet se ekipi që ka shënuar rekordin më negativ në futbollin spanjoll. Këtë sezon u rikthye në elitën e futbollit spanjoll dhe madje arriti që të fitonte me Realin në Madrid. Por, për Gijonin, pavarësisht kthimit në elitë, njolla e ekipit më të keq të historisë së Spanjës mbetet ende.

6. Sandërlend (Angli 2005-2006): 15 pikë gjatë gjithë kampionatit. Shumë pak për një ekip që militon në atë që quhet kampionati më i mirë në botë. Tashmë Sandërlendi është rikthyer dhe madje ka pasur një nivel të mirë gjatë këtyre kampionateve të fundit. Sezonin e kaluar, me këtë ekip luajti edhe mesfushori i kombëtares sonë, Lorik Cana.

7. Lens (Francë 1988-1989): Grumbulloi vetëm 17 pikë gjatë atij kampionati. 3 fitore gjatë atij kampionati për një ekip që deri në ato momente ishte në nivele të mira, madje merrte pjesë edhe në kompeticione evropiane, ishin shumë pak, çka bëri që Lens të konsiderohej si ekipi më i dobët në Francë. Dhe, do të mbetej i tillë, nëse lojtarët e një ekipi tjetër, për të cilin do të flasim më poshtë, nuk do t’ja zinin vendin.

8. FC Vizela (Portugali 1984-1985): Ky ishte i vetmi sezon kur ekipi i vogël luzitan mori pjesë në nivelin maksimal të futbollit portugez, por gjërat për këtë ekip nuk shkuan shumë mirë. Për ekipet kundërshtare, FC Vizela ishte një lojë kalamajsh për ta mundur, duke parë vetëm faktin se golavarazhin e kishte -40. Gjatë kampionatit të vetëm në nivelin maksimal të futbollit portugez, ky ekip pësoi plot 19 humbje.

9. Sandërlendi (Angli 2002-2003): Po, sërish ky ekip ndodhet në këtë klasifikim. Para sezonit 2005-2006, ky ekip kishte shënuar një tjetër rekord negativ: 15 humbje radhazi dhe 1350 minuta pa arritur që të fitojë.

10. Arles Avinjon (Francë 2010-2011): Ka hapur rrugën për t’u bërë ekipi më i keq në historinë e futbollit francez, pasi ka grumbulluar vetëm 14 pikë. Megjithatë, ka ende kohë për ta shmangur këtë gjë, pasi kanë mbetur edhe katër javë në kampionat për t’u luajtur.

(gazetatema.net)

No comments:

Post a Comment